OBSH më në fund e pranon: Koronavirusi nuk është grip, mbi 90 mijë persona të prekur

Epidemia e koronavirusit e ka shtrirë hijen e saj në të gjithë botën. Bilanci i viktimave nga Covid 19 shkoi në 3198, të prekurit janë 93.121 dhe të shëruarit, sipas OBSH-së 50.675. Kreu i saj Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi në një konferencë për shtyp në Gjenevë se në nivel global, gati 3.4 % e rasteve të koronavirusit kanë shkuar në vdekje.

“Tani që kemi më shumë të dhëna në dorë po e kuptojmë pak më mirë virusin. Nuk është Sars, nuk është Mers dhe nuk grip. Është një virusi unik, me karakteristika unike”, pohoi ai. Ministrat e Financave të G7-ës, sakaq, premtuan ndërmarrjen e masave për të parandaluar ndikimet në ekonomi, nga përhapja e koronavirusit të ri.

“Ne riafirmuam angazhimin tonë për të miratuar të gjitha hapat e duhur për të mbrojtur ekonominë nga rreziqet anësore të paraqitura nga koronavirusi”, tha ministri i Financave i Japonisë, Taro Aso.Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin tha se kishin rënë dakord të “bënin gjithçka që ishte e mundur” për të kufizuar dëmin ekonomik.

Grupin e vendeve më të industrializuara në botë – të njohur si G7 – e përbëjnë: Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Koronavirusi i identifikuar si COVID-19, e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës. Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar. Shenjat kryesore të infektimit janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.