Nga Elbasani te goli ndaj… Interit, rrëfehet Kristjan Asllani: Uesli Shnajder heroi im.

Ylli i Interit dhe i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, është një nga personazhet kryesore të zikaltërve. Ai ka qenë i ftuar special në episodin e pestë të emisionit “Footsteps”, ku ka folur për aventurën e tij me Interin, por edhe për vendlindjen e tij, Elbasanin si dhe lidhjen me Shqipërinë.

Është pikërisht kjo lidhje që e çoi atë të zgjidhte pikërisht Kombëtaren kuqezi. Duke folur pikërisht për jetën e tij, Kristjan Asllani ka përmendur tri qytetet që janë kryesore për të, duke nisur pikërisht nga Elbasani.

“Në jetën time ka tri qytete, Elbasani, qyteti ku kam lindur në Shqipëri. Më pas është Empoli, qyteti ku kam jetuar për 13 vjet në Itali, aty ku jam rritur dhe kam bërë hapat e mi të parë si futbollist dhe aktualisht Milano ku jam pjesë e Interit”, ka thënë Asllani.

Por, pavarësisht se pjesën më të madhe të jetës së tij ai e ka kaluar në Itali, ka deklaruar se e ndien veten shqiptar dhe jo më kot përfaqëson vendin ku u lind.

“Unë jam shumë i lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndihem shqiptar, ndaj kam zgjedhur të përfaqësoj Kombëtaren shqiptare”.

UDHËZIMET NGA FAMILJA – I lidhur me Shqipërinë, por pa diskutim shumë i lidhur edhe me familjen e tij. Gjatë intervistës së dhënë për emisionin në fjalë, mesfushori i Interit ka vënë në dukje rëndësinë e familjes në jetën e tij.

“Familja ka qenë gjithnjë përkrah meje, në çdo hap që kam bërë. Prindërit më kanë mësuar të jem modest, kokulur, punëtor. Modestia, të qëndruarit me këmbë në tokë është gjëja më e rëndësishme për mua”, tha Asllani.

UESLI SHNAJDER – Mesfushori kuqezi më pas ka kaluar te skuadra e tij aktuale, Interi. Për Asllanin idhulli i tij është një holandez, pavarësisht se ai nuk është në gjendje të japë një përgjigje shteruese për zgjedhjen e tij.

“Një legjendë e Interit? Unë do të thoja Uesli Shnajder. E admiroja jashtëzakonisht shumë. Nuk e di saktësisht përse, por do të zgjedh atë”, ka thënë Kristjani.

GOLI – Për të arritur në një nga pyetjet më pikante në intervistën e mesfushorit kuqezi. Goli më i bukur që kujton në karrierën e tij – ndonëse ajo është mjaft e shkurtër për momentin.

“Goli im që nuk do ta harroj është ai i pari në Serinë A, që kam shënuar me Empolin në pikërisht kundër Interit, skuadrës sime aktuale”, ka thënë Asllani. /panorama/