“‘Mendoj si Europian’, libri i Agim Leka promovohet mes intelektualëve në bibliotekën ‘Qemal Baholli’

Në ambientet e Bibliotekes “Qemal Baholli”, në praninë e miqve, intelektualëve dhe dashamirësve të librit, u zhvillua promovimi i veprës më të re të autorit Agim Leka, me titull domethënës “Mendoj si Europian”.

Ky libër vjen si një reflektim i thellë mbi rolin e edukimit në formësimin e mendimit bashkëkohor, duke e vendosur individin në qendër të një procesi të gjerë dhe kompleks zhvillimi. Në thelb të tij qëndron ideja se mendimi europian nuk është thjesht një identitet gjeografik apo kulturor, por një mënyrë e të menduarit që ndërtohet përmes edukimit cilësor dhe të integruar.

Përmbajtja e librit fokusohet në ndërtimin e mendimit përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, ku ndërthuren filozofia, shkenca dhe feja si shtylla themelore të dijes njerëzore. Autori argumenton se këto fusha nuk duhet të qëndrojnë të ndara, por të bashkëveprojnë në mënyrë harmonike brenda institucioneve kryesore të shoqërisë, si familja, komuniteti qytetar, shkolla, shteti dhe institucionet fetare.

Titulli “Mendoj si Europian” është rezultat i një kërkimi të gjatë filozofik dhe reflektimi të vazhdueshëm mbi natyrën e mendimit. Ai përfaqëson gjithashtu një përmbledhje të përvojës së autorit në procesin mësimor-edukativ, si në arsimin parauniversitar, ashtu edhe në atë universitar. Kjo përvojë i jep librit një dimension praktik, duke e bërë atë të vlefshëm jo vetëm në planin teorik, por edhe në zbatim konkret.

Në këtë vepër, edukimi trajtohet si një proces i gjerë dhe i pandërprerë, që përfshin jo vetëm përvetësimin e njohurive, por edhe zhvillimin e aftësive, ndërtimin e vlerave, formimin e besimeve dhe kultivimin e zakoneve. Sipas autorit, vetëm përmes një edukimi të tillë mund të ndërtohet një shoqëri e vetëdijshme, kritike dhe e aftë për t’u integruar denjësisht në hapësirën europiane.

Promovimi u shoqërua me diskutime dhe vlerësime nga pjesëmarrësit, të cilët e konsideruan librin një kontribut të rëndësishëm në debatin mbi edukimin dhe identitetin kulturor në kohën e globalizimit.