Me ardhjen e pranverës, krahas gjelbërimit dhe lulëzimit të natyrës, vërehet edhe një rritje e ndjeshme e rasteve të alergjive. Në qytetin e Elbasanit, mjekët raportojnë çdo ditë pacientë që paraqiten me simptoma të shkaktuara kryesisht nga polenet dhe prania e pluhurit në ajër.
Sipas mjekes Erilda Ndreka, numri i pacientëve me shqetësime alergjike shtohet ndjeshëm gjatë muajve të pranverës, veçanërisht nga marsi dhe deri në përfundim të sezonit të lulëzimit. Ajo thekson se çdo ditë paraqiten mesatarisht 4-5 raste të reja me simptoma tipike alergjie.
Shkaktari kryesor mbetet poleni, i cili është i pranishëm kudo, si në ambiente të jashtme ashtu edhe në ato të brendshme, duke e bërë të vështirë shmangien e tij. Përveç polenit, ndikim kanë edhe pluhuri dhe faktorë të tjerë mjedisorë.
Edhe pse shpesh nënvlerësohet, alergjia mund të çojë në komplikacione nëse nuk trajtohet në kohë. Më të rrezikuar janë fëmijët dhe të moshuarit, pasi simptomat shpesh ngatërrohen me ato të një viroze të zakonshme respiratore, çka mund të vonojë trajtimin e duhur.
Mjekët këshillojnë që personat me histori alergjish të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe. Rekomandohet të kufizohet qëndrimi në ambiente të hapura gjatë kohëve kur përqendrimi i polenit është i lartë, si dhe të shmanget hapja e dritareve kur ka shumë pluhur në ajër. Gjithashtu, është e rëndësishme që pacientët të konsultohen me mjekun për të marrë trajtimin e duhur.
Një nga sfidat kryesore për mjekët mbetet identifikimi i saktë i shkaktarit të alergjisë, për shkak të shumëllojshmërisë së faktorëve ambientalë që ndikojnë në shfaqjen e saj.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.