Wednesday , February 19 2025

Në liqenet karstike të Belshit këtë vit është shtuar numri i shpendëve ujorë që dimërojnë aty, por edhe i specieve të reja

 Nga Fatmir Popja

Një lajm shumë pozitiv ka ardhur këtë javë për zonën e Bashkisë Belsh dhe për biodiversitetin në Shqipëri.

Në 84 liqenet karstike të kësaj zone  është shtuar këtë vit jo vetëm

 numri i shpendëve ujorë por edhe i specieve të reja . Keto rezultate pozitive i konfirmoi edhe Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë për vitin 2025 i kryer si kudo në Shqipëri edhe në bashkinë Belsh nga Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për Qarkun e Elbasanit në bashkëpunim me  ekspertët ornitologë të cilët këtë muaj kryen  numërimin e shpendëve që ndodheshin  në liqenet e shumta karstike të zonës së Dumresë  e cila tashmë është kthyer në një nga alternativat më të reja të vrojtimit të shpendëve dhe në një  mundësi e artë për tërheqjen e sa më shumë turistëve të huaj.

Fatmir Brazhda, Drejtor i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Elbasan thekson se në këtë rajon ka rënie të numërit të shpendëve dimërues e lidhur kjo me arësye të ndryshme.Në Qarkun e Elbasanit nga censusi janë evidentuar 18 lloje të shpendëve dimërues ujore. Brazhda thekson se dominojnë karabullakët,rosat e ndryshme,çafkat, kredharaket,pulëbardhat etj.Në të gjithë Shqipërinë sipas censusit të shpendëve ujorë  të kryer në 34 pika të përcaktuara rezultuan 13 mijë më shumë individë që dimërojnë aktualisht .Shtimi i numrit të shpendëve ujorë dhe specieve të reja në  vendin tonë dhe në veçanti në Liqenet Karstike të Belshit është një tregues i mirë i ruajtjes dhe zhvillimit të habitatit natyror. Ky censues ndërkombëtar i shpendëve ujorë ka ndihmuar për të vlerësuar edhe më mirë pasurinë natyrore të zonës së Belshit dhe për të hapur mundësi të reja për zhvillim turistik.

Sipas sipërmarrësit Apostol Paja ,ardhja e shpendëve ujorë për dimërim në liqenet karstike të Belshit monitorohej edhe  shumë kohë më parë dhe është pozitiv fakti që numri i tyre sa vjen e shtohet. Sipas sipërmarrësit Paja,turistët e shumtë që vizitojnë zonën e Belshit tregojnë interes të madh për shpendët ujorë që dimërojnë në liqenet karstike të gjithë zonës së Dumresë.

Duke u fokusuar në vrojtimin e shpendëve, Belshi tashmë ka mundësinë të promovojë edhe një formë turizmi që është qëndrueshëm dhe edukativ i cili  mund të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota. Kjo do të ndihmojë në mbrojtjen e shpendëve dhe ekosistemit të liqeneve karstike , duke e kthyer këtë zonë në një atraksion të njohur për ata që janë të apasionuar pas natyrës dhe ornitologjisë. Po ashtu përpjekjet që po bëjnë bizneset lokale pranë këtyre liqeneve për të investuar në pajisje si dylbi dhe teleskopë tregon një angazhim serioz për të ofruar një përvojë edhe më të mirë për turistët dhe vrojtuesit e shpendëve.Kjo do të ketë një ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të zonës, duke krijuar mundësi punësimi  për banorët dhe do e promovojë  Belshin edhe si një destinacion të ri për turizmin ekologjik.