Domatet, të gjitha për eksport/ Fermeri nga Belshi:  Po shesim me 180 lekë kilogramin me shumicë

Nëse shohim tregjet shqiptare ka një mungesë të theksuar të domates së vendit dhe për këtë e ka një arsye. Stresi klimaterik ka bërë që këtë vit të ketë më pak prodhim domatja, por fermeri Qerim Elezi nga Belshi thotë se çdo gjë e keqe e ka një të mirë. Pas shumë vitesh bujku shqiptarë një kilogram domate po e shet me çmimin e shumëdëshiruar, ku një kilogram domate po blihet 180 lekë më çmim shumice. Ai thotë se domatja shqiptare po preferohet nga qytetarët serb për këtë arsye ajo po shkon e gjitha për eksport dhe jo për tregun vendas. Pas 13 vitesh në emigrim,Qerimi la Italinë për të mbjellë 10 mijë rrënjë me domate në 4 dynym sera.

Për 35-vjeçarin rikthimi në atdhe ka qenë vendimi i duhur, pasi në këto vitë toka i ka dhënë fitimin që ka pritur. Ai thotë se kërkesat për domaten e hershme shqiptare janë të mëdha jo vetëm nga konsumatori vendas, por edhe ai europian.

“Prodhimi është më i pakët sepse i ftohti i dimrit na ka dëmtuar katin e parë të bimës dhe për këtë arsye kokrra ka mbetur e vogël. këtë kokërr nuk e merr eksporti, por tregu vendas. Deri më tani unë të gjithë domaten e kam dërguar në tregun e Lushnjës dhe ajo që kam mësuar është se domatja ime ka shkuar në Serbi. Kam akoma shumë kërkesa, por prodhimi është i pakët dhe nuk u përgjigjëm dot të gjithëve. Ndërsa si çmim është shumë i mirë nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, ku një kilogram domate e shita 150 lekë, ndërsa kësaj herë 180 lekë”, shprehet fermeri.

Qerimi thotë se ka bërë zgjedhjen e duhur që në tokën e tij mbjellë vetëm domaten e ëmbël “rossalinë”. Ky vendim erdhi pas dështimit me kulturat e tjera bujqësore. “Më parë kam mbjellë kastravecin, specin e kuq, kungullin, por pamë që domatja të sjell më shumë fitim dhe u përqendruam këtu. është më tepër fitim prurëse”, thotë fermeri. Por domatja e ëmbël rossalinë, po vijnë me çmim të kripur për qytetarët, ku një kilogram domate në dyqanet e fruta perimeve po shitet 230-260 lekë.