Federata e Paqes Universale organizoi në Tiranë konferencën e tretë shkencore mbi familjen “FAMILJA, SHOQËRIA DHE VLERAT UNIVERSALE”.
Federata e Paqes Universale në partneritet me Nismën e Akademikëve për Paqe përmbyllën në amibentet e Ambasadës së Paqes në Tiranaë, triadën e konferencave shkencore mbi familjen, që u zhvilluan nga 19 nëntori 2022, e para; 15 prill 2023 e dyta; dhe e treta më 18 nëntor 2023.
Kjo veprimtari njëvjeçare shënoi një risi në fushën e veprimtarisë së Federatës së Paqes Universale, e cila krahas aktiviteteve edukative, trajnuese, promovuese, argëtuese, vlerësuese, do të mbajë këtej e tutje në axhendën e saj edhe aktivitete të mirëfillta shkencore. Kjo shtrirje edhe në shkencë, lidhet me faktin që pak më shumë se një vit më parë, nën Federatën e Paqes Universale – Shqipëri, është ngritur Komisioni i Akademikëve për Paqe, si pjesë e Akademisë Ndërkombëtare të Profesorëve për Paqe Botërore, me seli në Seul të Koresë së Jugut.
Ky aktivitet, u projektua si cikël konferencash për një nga çështjet më thelbësore, të jetës individuale, shoqërore, kombëtare dhe globale, me rëndësi teorike dhe praktike, në kornizën përfshirëse: Familja, Shoqëria dhe Vlerat Universale.
Secila prej konferencave pati fokusin e saj, duke trajtuar në një dritë të re:
I. Në konferencën e parë u trajtuan problematikat më të fundit të familjes së viteve të tranzicionit politik, ekonomik dhe social të vendeve të Ballkanit kryesisht, por edhe të familjes evropiane, në këndvështrimin krahasues; në përpjekje për një përgjigje më shumë, jo empirike, ndaj dilemës ekzistuese mbi krizën e familjes;
II. Në të dytën, u trajtuan dinamikat e brendshme të familjeve; ndikimi i vlerave dhe traditave në funksionimin apo disfunksionimin e familjes; dhe
III. Në të tretën, u trajtuan faktorët e jashtëm me ndikim të gjerë dhe të thellë si ekonomia kapitaliste e tregut, demokracia dhe revolucioni teknologjik, së fundmi ai digjital si pjesë e tij.
Në këto konferenca ligjëruan 25 studiues, profesorë dhe doktorë të shkencave sociale, nga të cilët 6 nga Shqipëria dhe 19 nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Amerika, Japonia, Koreja e Jugut, Turqia dhe Hungaria. 12 prej tyre ishin gra dhe vajza studiuese.
Përse u desh kjo veprimtari?
Dihet se për familjen, ka aq shumë libra sa po thyhen raftet e bibliotekave nga pesha e tyre, siç ka thënë një politolog i njohur të ditëve të sotme, i cili i referohet librave mbi demokracinë. Por, ashtu si edhe ai, besojmë se gjithmonë duhet shkruar dhe ligjëruar për një çështje ekzistenciale si Familja, e cila duhet mbrojtur nga rreziqet që sjell zhvillimi dhe pasojat e tij, jo gjithnjë të kontrolluara, nëse shkenca dhe politika nuk i paraprijnë me vizion, ide, legjislacion dhe politika aktive mbështetëse.
Ja disa nga rezultatet e këtyre konferencave:
- Kemi tashmë një tërësi ligjëratash të mirëfillta shkencore, mbështetur në vëzhgime, të dhëna statistikore nga më të fundit, interpretime, analiza dhe sidomos rekomandime të dobishme.
- Kemi një pamje më të plotë të ecurisë së familjes shqiptare, falë kontributit të studiuesve nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe të familjes ballkanase falë kontributit të studiueseve nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.
- Botimi dygjuhësh (shqip dhe anglisht) i ligjëratave në broshura të posaçme nga Federata e Paqes Universle, i bëjnë ato pronësi të një mase më të gjerë të njerëzve të interesuar, por do të bëhen gjithashtu një burim i besueshëm reference për studiuesit.
- Ka mbi 150 citime në këto ligjërata, që tregojnë për rigorozitetin shkencor të autorëve, por që shërbejnë gjithashtu edhe si burim informacioni mbi personalitete shkencëtarësh socialë të së kaluarës dhe ata bashkëkohorë, duke qenë një ndihmesë orientuese për studiuesit më të rinj.
- Krijimi i një rrjeti akademikësh, sidomos nga Ballkani, është një tjetër rezultat i rëndësishëm, i cili krijon mundësi për bashkëpunime të tjera në të ardhmen në dobi jo vetëm të shkencës, por edhe të solidaritetit, mirëkuptimit fqinjësor dhe ruajtjes së paqes.
- Rritja e numrit të studiuesve, që tashmë janë pjesë edhe e rrjetit të Ambasadorëve për Paqe. Pritshmëritë janë dhe me siguri do të ndodhë, që studiuesit, në rolin e ri të Ambasadorit për Paqe, do të ndikojnë me idetë e reja, studimet dhe përvojën e tyre, në misionin thelbësor që Federata e Paqes ka: arritjen e paqes dhe prosperitetit në një botë të drejtë.