Tokë me 7501, hyjnë në fuqi rregullat e reja për tapi, ligji i ri për pronat.

Rastet kur “rivlerësohet” akti i marrjes së tokës bujqësore në përdorim dhe kur “sekuestrohet” toka Personat që kanë marrë tokë me ligjin 7501 në vitin 1991 mund ta humbin atë në rast se në kadastër sipërfaqja është në zërin kadastral “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh” ose “sipërfaqe ujore”.

Ndërsa në të gjitha rastet e tjera, pra kur toka është regjistuar si tokë bujqësore, Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim, AMTP, do të regjistrohet në kadastër dhe pronari do të marrë tapinë. Kriteret e reja janë përcaktuar në ligjin nr. 20/2020 për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë, i cili ka hyrë në fuqi pak ditë më parë.

Në nenin 7 të këtij ligji që parashikon regjistrimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi, thuhet se “akti i marrjes së tokës në pronësi, i përfituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, i paregjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nuk i nënshtrohet verifikimit të vlefshmërisë nga ASHK-ja.

Ai regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nëse plotësohen njëkohësisht kriteret e mëposhtme: a) përfituesi i AMTP-së ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të ish-kooperativës apo ish-ndërmarrjes bujqësore; b) përfituesi i AMTP-së ka marrë tokë në territorin e vetëm një ish-kooperative ose ish-ndërmarrjeje bujqësore; c) toka për të cilën është lëshuar AMTP-ja nuk ka qenë “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh” ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit”. Sipas ligjit të ri, nëse akti i marrjes së tokës në pronësi nuk mund të regjistrohet sipas këtij ligji, atëherë ASHK-ja, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, njofton përfituesin e AMTP-së mbi konstatimet, duke i dhënë atij mundësinë, të paraqesë shpjegimet dhe provat që disponon, brenda 45 ditëve.

Në përfundim të këtij afati, shqyrtohen parashtrimet dhe provat, në bazë të të cilave, brenda 30 ditëve, merret vendim për regjistrimin ose hartohet raporti përkatës dhe miratohet vendimi për mosplotësimin e kushteve për regjistrimin e AMTP-së.

Në ligj thuhet se ky vendim nuk sjell efekte për vlefshmërinë ose jo të AMTP-së që nuk mund të regjistrohet dhe ndaj tij subjekti i interesuar ka të drejtën e ankimit gjyqësor ose të ngritjes së padisë civile për vërtetimin e pretendimeve përkatëse, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Ndërkohë që vendimi i mosregjistrimit duhet të jetë i arsyetuar dhe pasqyrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, së bashku me shënimin për pretendimin mbi të drejtën e pronësisë së subjektit që ka përfituar AMTP-në.

Regjistrimi

Gjatë procedurave të regjistrimit ose përmirësimit të regjistrit të pasurive të paluajtshme, ASHK-ja plotëson me elementet hartografike AMTP-të që nuk janë të shoqëruara me dokumentacion hartografik, ose saktëson dokumentin hartografik. ASHK-ja verifikon nëse të gjithë përfituesit e tokës bujqësore në territorin e ish-kooperativës dhe/ose ish-ndërmarrjes bujqësore kanë në posedim aq sipërfaqe sa është përcaktuar në AMTP.

Nëse ka subjekte që posedojnë më pak dhe të tjerë më shumë sesa është përcaktuar në AMTP, agjencia përcakton ose korrigjon kufijtë e sipërfaqeve, sipas sasisë së AMTP-ve dhe i pasqyron ato në hartën kadastrale. ASHK-ja i ofron subjektit që posedon më pak se sipërfaqja e përcaktuar në AMTP, mundësinë për t’u plotësuar me këto sipërfaqe, deri në sasinë e përcaktuar në AMTP, në rastet kur korrigjimi, sipas kësaj pike, nuk mund të realizohet dhe në territorin e ish-kooperativës dhe/ose ish-ndërmarrjes bujqësore ka sipërfaqe të lira shtetërore.

Nëse gjatë saktësimit dhe pozicionimit në hartën kadastrale të sipërfaqes, sipas AMTP-ve,rezulton se është e pamundur që sipërfaqja të pasqyrohet në regjistër në pozicionin e përcaktuar në AMTP tërësisht, ose pjesërisht, ASHK-ja udhëzon përfituesit e AMTP-së dhe/ose të titujve të tjerë të pronësisë për ta zgjidhur gjyqësisht mosmarrëveshjen, kur, për të njëjtën sipërfaqe toke, ose pjesë të saj, paraqiten për regjistrim më shumë se një pronar pretendent, ose kur nga përmirësimi rezulton se janë regjistruar më parë tituj pronësie. Për pjesën e sipërfaqes ku ka konkurrim të titujve të pronësisë, procedurat e regjistrimit fillestar, ose përmirësimit, pezullohen deri në administrimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë.

Toka pa shpërblim

Sipas ligjit të ri për pronën, sasia e sipërfaqes së tokës bujqësore, që kalohet në pronësi pa shpërblim është: a) sa sipërfaqja e përcaktuar në aktin e marrjes së tokës në përdorim; ose b) sa normativa që llogaritet nga raporti i sipërfaqes aktuale që rezulton e lirë në terren me numrin e frymëve, përveç rastit kur përfituesit e sipërfaqeve, me marrëveshje ndërmjet tyre bien dakord.

Gjithashtu, kalon pa shpërblim sipërfaqja e tokës bujqësore nëse ajo është e lirë në terren dhe është më e vogël se ajo e përcaktuar në aktin e marrjes së tokës në përdorim. Subjektit i miratohet kalimi i pronësisë pa shpërblim, vetëm për sasinë e sipërfaqes që rezulton e lirë.

Gjithashtu do të kalojë në pronësi pa shpërblim toka bujqësore, nëse vendndodhja e sipërfaqes së poseduar efektivisht është e ndryshme nga ajo e përcaktuar në aktin e marrjes së tokës në përdorim, por brenda territorit të ish-kooperativës dhe/ose ish-ndërmarrjes bujqësore, kalimi i pronësisë, pa shpërblim, dhe regjistrimi kryhen sipas vendndodhjes së sipërfaqes së poseduar. Në çdo rast sipërfaqja e poseduar duhet të përmbushë kushtet e parashikuara në këtë ligj.

Regjistrimi i aktit të marrjes së tokës në pronësi

Akti i marrjes së tokës në pronësi, i përfituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, i paregjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nuk i nënshtrohet verifikimit të vlefshmërisë nga ASHK-ja. Ai regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nëse plotësohen njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

a) përfituesi i AMTP-së ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të ish-kooperativës apo ish-ndërmarrjes bujqësore;

b) përfituesi i AMTP-së ka marrë tokë në territorin e vetëm një ish-kooperative ose ish-ndërmarrjeje bujqësore;

c) toka për të cilën është lëshuar AMTP-ja nuk ka qenë “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh” ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit.

Për AMTP-të që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij neni, kur kanë mangësi në elementet e formës, mungesa e këtyre elementeve nuk pengon regjistrimin, me kusht që nga dokumentacioni i procesit të ndarjes së tokës bujqësore, që ASHK-ja administron, sipas pikës 6, të nenit 68, të këtij ligji, ose që paraqet subjekti si provë, vërtetohet se subjektit i është dhënë tokë në pronësi.

Kushtet për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore

Përfitojnë kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore subjektet që plotësojnë njëkohësisht këto kushte:

1) Janë përfitues të tokës në pronësi ose përdorim, sipas akteve nënligjore që kanë rregulluar marrëdhëniet juridike të ndarjes apo dhënies në përdorim të tokës bujqësore të vitit 1991 e në vazhdim. Subjekte përfituese janë edhe:

a) Punonjësit e ish-ndërmarrjes bujqësore më 01.08.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 01.08.1991;

b) Personat që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 01.08.1991;

c) Personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre;

d) Nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë ish-kooperative apo ish-ndërmarrjeje bujqësore tjetër;

e) deri në 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë paraqitur kërkesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për t`u pajisur me AMTP për tokat e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore, pavarësisht nëse janë pajisur ose jo me aktin e marrjes së tokës në përdorim;

ç) janë përdorues faktikë të tokës bujqësore.

Toka që kalohet në pronësi, pa shpërblim, duhet të përmbushë njëkohësisht këto kushte:

a) t’i përkasë njërit prej zërave të tokës bujqësore;

b) të mos jetë pronë private e të tretëve;

c) të mos jetë objekt i formave të kompensimit fizik, sipas legjislacionit në fuqi për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave;

ç) të mos jetë zënë nga ndërtime pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues;

d) të mos jetë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë.