Shënime udhëtimi/ Në Elbasanit, atje ku kultura ilire e Skampës përzihet me kulturën orientale
Nga Leonard Veizi
-I fusim 20 mijë lekë naftë makinës dhe ia mbathim nga Tirana…
-Ku do na çosh këtë herë?
-Në Elbasan.
Në Elbasan?! Po ne para dy javësh ishim atje.
-Shkojmë prapë.
Biseda informale bëhet në një kafe nga ora 12.30 e drekës, sepse nga gjumi je zgjuar rreth orës 11.00 dhe nuk di se çfarë duhet të bësh në ditën tënde të pushimit.
Gjithsesi, konsensusi për të shkuar në qytetin më të afërt me kryeqytetin, që mban vetëm një kilometër më shumë se Durrësi, arrihet shpejt. Ja ku është Elbasani, një vrap pele.
-Ke ndonjë porosi për nga Elbasani, si elbasanlli që je, – i them një herë një fqinjit tim. – Kam një rrugë andej.
-E ke gabim, – ma kthen ai. – Unë jam elbasanas. Elbasanllinj janë atë që kanë ardhur.
Vath në vesh. Nuk duhet bërë më ky gabim.
-E drejtë, – i them duke vazhduar ta ngacmoj nga pak. – Veç kësaj, ti je ba tirons.
Epo ç’bëri Tirana, ç’bëri Elbasani. Shqipëri e Mesme tek e fundit.
Nisemi.
Në një ditë gri, disi të plogësht fundjave, në Elbasan nuk ndodh asgjë për t’u shënuar. Përroi i Zaranikës nuk sjell ujë aq sa të dalë nga shtrati, ndërsa vija e lumit të Shkumbinit kalon më larg dhe nuk e shqetëson qytetin.
Për të shkuar nga Tirana në Elbasan tanimë duhen 33 kilometra nga 54 që dikur bëheshin nëpërmjet qafës së Kërrabës. Ndërsa për nga kohëzgjatja, nga 1.15 minuta që zgjaste mesatarisht udhëtimi disa vite më parë, tani udhëtimi nuk i kap 30 minutat. Për nga lloji i rrugës, autostrada Tiranë-Elbasan, që i hëngri shqiptarëve nja 450 milion dollarë në tetë vite punë, është ku e ku me atë Tiranë-Durrës, e cila në 32 kilometrat e saj ka nja 28 pika që përbëjnë precedent për aksident.
Ura, sipër së cilës kalon treni e poshtë saj makinat, e që simbolizon futjen në zonën e Elbasanit, është po aty, vetëm se tani rruga është e lirë, pa blloqe betoni e pa patrulla policie me antiplumb të shërbimit 24-orësh. Rruga lidhëse e qytetit me Kombinatin Metalurgjik, që dikur quhej autostradë, në ditë trafiku duket fare e ngushtë. Megjithatë ajo të çon qetësisht deri te rrethrrotullimi i parë në hyrje të qytetit. Për më tej duhet të marrësh një prej segmenteve të unazës që shtrihet nga të dyja krahët, ose të çash mes për mes, për të parakaluar te Bashkia e për të mbërritur tek stadiumi.
Bulevardi kryesor i qytetit është i mbushur me pallate 4-katëshe, tipike ndërtime skematike të realizmit socialist dhe jo vetëm për këtë arsye, pjesa më e bukur e Elbasanit mbetet kalaja me ndërtesat brenda saj, edhe pse në fakt kjo kala u ndërtua nga pushtuesit turq për të strehuar garnizonin e tyre ushtarak të ardhur nga Edrineja.
Për shkak të prurjeve njerëzore si krahë pune, gjatë kohës së ndërtimit të Kombinatit Metalurgjik, Elbasani e humbi një pjesë të autoktonitetit të tij, dhe kjo u shtua më shumë pas viteve ’90. Megjithatë, krahasimisht me Durrësin e sidomos Tiranën, Elbasani mbetet më pak hibrid, dhe zhargonin e ëmbël të vendasve e ndesh kudo, në rrugë, markata, e tezgat ku shiten gjithfarë sendesh me çmime të lira.
-Kujdes kur ecën me makinë në mes të Elbasanit. Njerëzit të dalin në mes të rrugës dhe s’e rruajnë fare, – kjo ishte dhe një nga këshillat që më kanë dhënë këtu e vite më parë.
Ishte mëse e vërtetë. Ky realitet nuk ka ndryshuar as sot.
-Ha are ha, se nuk t’shtyp ky, – dëgjova të thoshte një burrë plak teksa doli para hundës së makinës si “fanti spathi”. Shyqyr që i kisha frenat top thuaj, se sa për të shtypur…
Elbasani, edhe pse qytet i madh, e rrugë të mbushur me makina, gjithsesi të jep mundësitë të parkosh kudo, madje pa para.
O Zot i madh, çfarë luksi.
Dikur kisha dëshirë të jetoja në Durrës. Tani duhen kthyer sytë nga Elbasani. Parking i siguruar dhe çmimet e të gjitha asortimenteve më të lira. Me një rrogë mesatare në Tiranë futesh në borxh nga fundi i muajit, në Elbasan mund të kursesh e të dalësh me fitim. Dhe tek e fundit je vetëm 25 minuta larg nga kryeqendra.
Ja kësaj i thonë ta kthesh timonin 180 gradë.
Një herë e një kohë, kur isha ende i vogël, e më duhet të bëja gjysmën e rrugës me tren për të mbërritur në Librazhd, e prej andej të merrja autobusin për në Korçë, stacioni i Elbasanit më krijonte fobi. Ishte krejt e kundërta e stacionit të Durrësit që më mrekullonte.
Në stacionin e Elbasanit hipnin e zbritnin aq shumë njerëz sa një turmë të tillë nuk e ndeshja as në Tiranë, ku treni kishte vendbazimin dhe as në stacionin e Durrësit, ku treni qëndronte thuajse gjysmë ore për shkak të ndërrimit të lokomotivës.
Veç njerëzve të shumtë, stacioni i Elbasanit më bënte përshtypje edhe për aktivitetin privat tregtar në periudhën e një tregtie të centralizuar shtetërore. Një tufë grash, shumica nga të komunitetit rom, turreshin të hipnin nëpër vagonë dhe të tjera që vërtiteshin nëpër dritare, ku mundoheshin të shisnin gjithfarë gjërash, fruta-perime, kanistra kashte, e sidomos xhingla-mingla për femrat. Në këtë mënyrë stacioni i Elbasanit kthehej në një qendër të zhurmshme tregtare. Dhe për çudi, minutazhin e qëndrimit në këtë stacion e përjetoja me ankth.
-Ça bane o Nard? Qysh jeni nga shtëpia.
-Ça me bo or plak. Mirë ina, – flas unë, a thua se familja ime ka 200 vjet në Tiranë e unë jam rritur në Brrakë.
Ky është një bashkëbisedim i zakonshëm, e përplasje dialektesh, të cilin e bëj me shumë dëshirë pasi më jep dhe një adrenalinë të çuditshme.
-Do ta pimë një poç me verë, aty te Kristoforidhi? – bëhet si gjithmonë ftesa bujare.
-A, jo. Një kanoçe birrë dua. Ka dalë policia rrugëve dhe mirë që të shemb me gjoba po të merr dhe patentën.
-Mirë e ke o bab, ku bahet shaka me këta.
Që të jem i saktë deri në fund, më duhet të them se Elbasani është një qytet ku njerëzit e duan argëtimin. Emri Elbasan, që për të thënë të vërtetën nuk është se ka ndonjë farë tingëllimi, (ose thjesht nuk më tingëllon mua) është emërtim oriental, ose më saktë, osman. Dhe unë e kam të shprehur alergjinë time ndaj mbetjeve osmane në një vend me kulturë ilire, të përzierë me atë romake e disi bizantine.
Në qendër të qytetit, aty pranë turizmit të dikurshëm, vendi është i rrethuar, sepse janë gjetur mbetje arkeologjike nga qyteti i vjetër ilir, i cili quhej Skampius e më pas Skampa. Ky po, është emër që dhe sot tingëllon shumë modern. Emrin Skampa e mori teatri i qytetit, Hotel Turizmi e ndonjë restorant rreth e rrotull, por qytetit në fjalë i mbeti emri Elbasan, meqenëse ai u themelua nga Sulltan Mehmeti II. Eli-Basam në shqip vjen si Vura Dorë.
Rrofsh o sulltan.
Dhe të kemi parasysh se ky sulltani i fuqishëm, i njohur si “pushtuesi” që mori Kostandinopojën pas një rrethimi 54 ditor, dështoi në dy rrethimet e Krujës, përballë Skënderbeut. Dhe, por më keq se kaq, të atin, sulltan Muratin, e la zemrat top në vend, nga që s’i dilte inati, meqenëse Gjergj Kastrioti, të cilit i kishte dhënë dhe titullin Skënderbej, i doli “bukëshkalë” dhe ia përgjysmoi ushtrinë në muret e Krujës. E megjithatë, fushës së bukur të Skampës, që sot mund të ishte dhe kryeqyteti i Shqipërisë, i la emrin oriental “Elbasan”. Në këtë mënyrë sulltan Mehmeti II e mori kalanë nga brenda. Dhe ky mund të cilësohet dhe si një pushtim në kohë.
-Ke vojt nga moma, qysh a me shnet?
-Mirë, mirë, të fala keni.
Ja ky është bashkëbisedimi i zakonshëm kur takohem me njerëzit e mi të afërt, që edhe se nga zona e Korçës, për shkak të jetesës prej shumë vitesh në Elbasan, nuk i dallon më nga vendalinjtë.
Pak kilometra në të dalë të Elbasanit, rrugës për në Librazhd, ndaloj tek restoranti ku më pëlqen të drekoj herë pas here. Aty kishte aheng, si përherë. Nuk ka rëndësi në jashtë është mugëtirë, bije shi a bën ftohtë. Në brendësinë e tij lokali të dhuron shumë ngrohtësi. Për ditë të shtune e të diele, njerëz të veshur shik, si për dasma, prenotojnë tavolinat secili për hesap të vet, por në pistën e kërcimit bëhen të gjithë bashkë. Raki, mish qengji, por dhe një sahan balte me përshesh misri e një kalastren në mes, janë menuja më e mirë. Ahengu tanimë nuk bëhet me violinën e Isuf Myzyrit, se kohët kanë ndryshuar, por me një kompjuter portativ e një “DJ” i cili veç këngëve të Shqipërisë së Mesme, i fut dhe një të shartim me potpuri nga Jugu, si dhe vallen e Kukësit e atë të Tropojës.
-Këtu bëhet qejf mor vëlla!
Në kthim ndaloj në Shijon. Kush nuk e di, këtu është manastiri i famshëm i Shën Gjon Vladimirit. Gjon Vladimiri, apo Johani, i lindur në Krajë, që është dhe zona shqiptare në Malin e Zi, është shpallur shenjt këtu e1000 vite më parë. Eshtrat e tij ruhen me po aq fanatizëm sa dhe të faraonëve egjiptianë. Në vendin ku ai dha shpirt, u ndërtua një kishë dhe një manastir dhe vendi quhet Shijon. Para disa vitesh kam qenë i përfshirë si skenarist në një grup realizimi të Televizionit Shqiptar, për të bërë një dokumentar mbi historinë e Gjon Vladimirit. Aty mësova se etimologjia e fjalës “Shijon”, për shkak të deformimit 1000-vjeçar, në gjenezë është “Shën Gjon”. Tanimë kisha dhe manastiri i Shijonit janë kthyer në vend pelegrinazhi, dhe kur shkëputesh nga Elbasani për të shkuar në Tiranë, nuk është keq të bësh një vizitë në një vend të shenjtë si ai.
Leonard Veizi/Fjala.al/