Prezantohet skema e granteve “IPARD II 2014 – 2020” për zhvillimin e sektorit Agro-Ushqimor në Elbasan.

U prezantua sot në Elbasan skema e granteve “IPARD II 2014 – 2020” për zhvillimin e sektorit Agro-Ushqimor.

Në fjalën e tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla vlerësoi punën e AZHBR, sidomos përsa i përket transparencës së fondeve.
Gjithashtu Balla u bëri thirrje fermerëve të përfitojnë nga skemat e financimeve dhe të shtojnë prodhimet e tyre, të njohura për cilësinë që i bën të konkurueshme në tregjet europiane.

“Deri në dy vite më parë AZHBR ishte një institucion ku mungonte tërësisht transparenca dhe mënyra e administrimit të mirë të fondeve, një garanci kjo e domosdoshme, në një rrugë të rëndësishme të angazhimit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
IPARD-i është padyshim një shkollë e rëndësishme, të cilën ne duhet ta kryejmë më së miri, për të treguar kapacitetet absorbuese tonat përsa i përket fondeve të BE-së.

Bujqësia, duhet ta them që është në një fazë shumë të rëndësishme, po aq edhe delikate, po të kemi parasysh orientimin që duhet të marrë.
Ne duhet të riorientohemi me nevojat që ka tregu dhe dua të ndaj me ju disa shifra dimethënëse, përsa i përket suksesit të mirë administrimit të ri të AZHBR-së nën drejtimin e Frida Krifcas.

Për vitin 2018, vetëm në Elbasan kemi 5 përfitues me një fond prej 662 300 eurosh, që vetëm për Elbasanin është një shifër domethënëse; janë tre linja përpunimi makineri dhe pajisje dhe dy ambiente grumbullimi, po ashtu kemi edhe masa direkte me përfitues 367 fërmerë me një buxhet prej 482 mijë eurosh ku 64 janë në blegtori, në ferma qumështi janë 13, në bletari 82, në zëvendësime të plastmasit apo pajisjeve të tjera të serave 10, përmirësimi i teknikave të ujitjes 89, në ferma organike 1 dhe këtu do të doja të kisha një vëmendje më të madhe. Dua t’i bëj thirrje fermerëve të aplikojnë për investime në Fermat Bujqësore, në aktive fizike për Përpunimin dhe Tregtimin e Produkteve Bujqësore dhe në Diversifikimin e Fermave dhe Zhvillimi i Biznesit”, tha Balla.
Sipas Ballës qarku i Elbasanit duhet të fokusohet tek:

●Prodhimi i Bimëve Aromatike Mjekësore (BAM), kërpudhave, mjaltit, bimëve zbukuruese dhe kërminjve
●Përpunimi në fermë dhe tregtimi direkt i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat dhe perimet, vera, etj (Fermerë)
●Përpunimi dhe tregtimi i BAM-ve të egra ose të kultivuara, kërpudha dhe mjaltë; Vaji i Ullirit
●Akuakulturë
●Natyra dhe turizmi rural
●Shërbimet për popullsinë rurale dhe biznesin
●Zejtari dhe industria prodhuese
●Prodhimi i energjisë së rinovueshme.”, deklaroi Balla.