Qyteti i vogël i Peqinit, ndër vite ka nxjerrë figuara të shquara në fushën e arsimit, kulturës, politikës, etj.
Një ndër to janë edhe maturantët e vitit 1972, të cilët janë takuar bashkë mbas 50 vitesh, pikërisht në qytetin e tyre të lindjes, aty ku edhe morën dijet e para, u rritën dhe u arsimuan, për tu shpërndarë më pas aty ku kishte nevojë vendi. Sot me thinja në kokë, të mbuluar nga rrushat e moshës, dikush nuk ka mundur dhe ta njohë shokun e klasës, apo të bankës. Vitet larg njëri tjetrit, kanë mundur t’i ruajnë të pastër në kujtesë, emrat, kujtimet e bukura, por pamja ka ndryshuar shumë tek të maturantët e gjimnazit “ Zihni Magani” emër të cilin mban edhe sot. Të gjithë maturantët e viteve 1972 sot vazhdojnë të jenë elitë në profesionet e tyre. Nurije Shqarri, mësuese e vjetër, e cila prej vitesh ka qenë edhe zv /drejtore në gjimnazin ku edhe ka përfunduar shkollën, rrëfen se “ ishte një emocion i papërshkrueshëm, u ndamë të rinj, u përshëndetëm për t’u takuar sërisht, por Zoti deshi që të mblidhemi pas 50 vitesh. Ishte një mall, na riktheu 50 vite pas, atëherë kur të gjithë bashkë, mësonim, bisedonim si miq të mirë”.
Maturantët e vitit 1972 të gjimnazit Zihni Magani”, ishin të shkëlqyer, pjesa më e madhe e tyre ishin dhe janë intelektualë, me profesione si, inxhinjerë, ekonomistë, farmacistë,juristë, mësues( me shkolla te larta) dhe shumica në vende drejtuese gjatë karrierës së tyre.
Gëzim Dauti, inxhinjier minierash, gjatë të gjithë jetës së tij, sot administron një studio projektimi në Tiranë, mes emocionesh, dhe lotësh, i mbuluar nga thinjat e fisnikërisë që e karakterizon pohon se “ ndjej një emocion të veçantë që u takuam pas 50 vitesh, sigurisht ndjej dhe dhimbje dhe keqardhje për ata që sot nuk janë mes nesh. Duke ju parë këtu sot, po mendoja se sa e sinqertë dhe gati gati e çiltër ishte marrëdhënia që kishim me njëri tjetrin. Ishte një shoqëri që bazohej tek thjeshtësia, dashuria dhe respekti që ishte pa interesa, pa inate dhe zili. Pamvarësisht familjeve që kishim, nuk njihnim dallime në shtresat sociale nga vinim, por ndjeheshim të gjithë të barabartë. Kemi qenë brezi që pamvarësisht vështirësive që kishim në përditshmërinë tonë, ishim të lumtur, e kishim zemrën plot, kishim ëndrra, nuk na mungonte shpresa për ditët më të mira që do vinin, kishim shok e shoqe të besës, ishim mirënjohës dhe falenderues ndaj gjithçkaje. Edhe pse gjatë jetës time, Zoti dhe fati më ka dhënë mundësinë që të jem dhe funksionar publik dhe të mbaja fjalime kur ishte nevoja, me ju ndjeva një kënaqësi të madhe, që më bëri nostalgjik, pak melankolik por shumë të lumtur që jeta na bashkoi sërish të gjithë bashkë”.
50 vite nuk janë pak, por mes tyre, ky takim i maturantëve të vitit 1972, i ktheu pas në kohë, kush me të qeshura, kush me emocione dhe lot në sy, takimi i tyre zgjati shumë, por ata nuk e ndjenë fare, për shkak të mallit dhe dëshirës së ritakimit.