Të gjithë kemi momente kur kemi uri, por nuk vendosim dot se çfarë duam të hamë. Janë disa ushqime të cilat nxisin idetë tona dhe shqisën e shijes. Shumica prej nesh preferojmë t’i shoqërojmë ushqimet me ketchup, mustard, majonezë, salcë soje etj. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të prirur për të krijuar shije të reja me salca dhe erëza të ndryshme.
Një shije e cila ka rritur popullaritetin kohët e fundit është mjalti “i nxehtë”. E thënë më thjeshtë, mjaltë i nxehtë është mjalti i kombinuar me spec djegës. Por ju mund ta bëni kombinimin me erëza të ndryshme dhe lloje të ndryshme të specave, në bazë të preferencave tuaja. Nëse e përdorni në gjellë mund të vendosë një ekulibër midis shijes së ëmbël dhe pikante.
Një mënyrë e thjeshtë se si mund ta përgatisni është: gjysmë luge çaji me piper të kuq dhe dy lugë mjaltë. Kur ta provoni këtë kombinim shijesh nuk do ta ndani më nga pjata juaj. Shumica e njerëzve e përdorin të kombinuar me ushqime të skuqura, si patatet, mishi i pulës, po ashtu edhe në pica e makarona. Gjithashtu një mënyrë e mirë është t’i lyeni perimet tuaja përpara se t’i fusni në furrë. Kujdes! Mos e teproni me sasinë e përdorimit.