Soreca në Elbasan, Pako ushqimore për familjet në nevojë. Përfitojnë dy bashki (Çfarë u diskutua)

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja priti sot në zyrën e tij Ambasadorin e Delegacionit të BE-së Luigi Soreca si dhe Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Z. Gent Cakaj. Ambasadori i Delegacionit të BE-së si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i dorëzuan Bashkisë së Elbasanit dhe Bashkisë së Gramshit pako ushqimore për familjet në nevojë. Kjo mbështetje vjen në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë të financuar nga Bashkimi Evropian, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me Ministrinë për Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë e Veriut, si Strukturat Operative të Programit, të cilat së bashku me Delegacionin e Bashkimit Evropian, vendosën që të përdorin një pjesë të fondit të asistencës teknike për të ndihmuar institucionet dhe familjet në nevojë brenda zonës së programit ndërkufitar.

Alokimi buxhetor prej 10,000 Euro për këtë emergjencë do të dërgohet për të ndihmuar komunitetet lokale në të dy anët e kufirit, ku 5.000 Euro shkojnë për familjet në nevojë në Shqipëri dhe përkatësisht në Bashkinë Elbasan dhe Bashkinë Gramsh. Me qëllim që të kontribojnë sadopak në lehtësimin e situatës lidhur me emergjencën e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vendosi për dhurimin e 150 pakove ushqimore për të ndihmuar familjet në nevojë të identifikuara nga ana e institucionit tuaj sipas listave të përcaktuara paraprakisht (75 pako secila Bashki).

Duke respektuar të gjitha rregullat e distancimit social dhe qëndrimit të sigurtë, zyrtarët patën një bisedë mes tyre ku çështja kryesore ishte bashkëpunimi për të ndihmuar në rimëkëmbjen e bizneseve pas pandemisë. Bashkimi Europian ka akorduar 50 milionë euro për Shqipërinë për mbështetjen e bizneseve në këtë periudhë të vështirë ndërsa ambasadori Soreca garantoi Kryetarin e Bashkisë se qytetarët e tij nuk do të jenë vetëm në këtë luftë.

Po ashtu, Z. Llatja e informoi Ambasadorin dhe Ministrin e Jashtëm mbi projektet ambicioze të Bashkisë së Elbasanit siç janë projektet për zhvillimin e turizmit. Z. Llatja përmendi projektin për rivitalizimin e rrugës Egnatia, për të cilin Bashkia e Elbasanit ka aplikuar për mbështeje në programet e BE-së.

Gjithashtu Kryetari i Bashkisë dhe Ambasadori i delegacionit të BE-së diskutuan mbi bashkëpunimin për mbështetjen e grupeve vulnerabël. Z. Llatja informoi mbi vendimin e Këshillit Bashkiak për miratimin e Planit të Integrimit të Pakicave Rome dhe Egjiptiane. Duke shpresuar që kjo situatë pandemie të mbarojë sa më parë Ambasadori i BE-së, Soreca shprehu dëshirën për t’u rikthyer në Elbasan për të vizituar qytetin dhe atraksionet turistike.