Kërcënim me bombë në Gjykatën e Elbasanit, alarm pas një emaili kërcënues

Një email kërcënues ka vënë në alarm mëngjesin e sotëm Gjykatën e Elbasanit, pasi në mesazhin e mbërritur rreth orës 08:30 pretendohej se në ambientet e institucionit ishte vendosur një mjet shpërthyes.

Sipas përmbajtjes së mesazhit, dërguesi pretendon se është drejtues i Milicisë Serbe dhe përdor gjuhë kërcënuese ndaj shqiptarëve. Në email përmendet edhe Kosova, ndërsa paralajmërohet se shpërthimi do të ndodhte një orë pas dërgimit të mesazhit.

Kërcënimi shoqërohet me deklarata me përmbajtje të pretenduar nacionaliste, të cilat drejtohen kundër shqiptarëve dhe rrisin shqetësimin lidhur me natyrën e mesazhit.

Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar nëse gjatë verifikimeve në godinën e gjykatës është konstatuar ndonjë objekt i dyshimtë. Po ashtu, mbeten të paqarta identiteti i personit që ka dërguar emailin dhe vërtetësia e pretendimeve të tij.

Autoritetet pritet të kryejnë kontrollet dhe hetimet përkatëse për të sqaruar situatën dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim konkret apo për një alarm të rremë.