Ministrja Elisa Spiropali ka treguar në Rtsh se ka qenë ajo që ua ka vendosur emrat fëmijëve të saj, duke zgjedhur që të ishin në gjuhën shqipe dhe të kishin kuptim. Ajo tha se për emrin e vajzës ka kontrolluar listën e gjendjes civile dhe ka vendosur që t’ia vendosë emrin “Nalta”.
Ky vendim erdhi pasi asnjë nuk e ka mbajtur këtë emër më parë, ndërsa djalin fillimisht kishte vendosur ta quante “Lis”, por këtë emër nuk ia pranoi bashkëshorti pasi ngjasonte me emrin e saj. “Fëmijët duhen shumë por unë e kam menduar punën e emrit pak gjatë në atë kohë, sepse doja që të ishin emra me tingull të fortë, të kishin muzikalitet, por të kishin kuptim dhe të ishin shqip. Besoj se Nalta dhe Kren i plotësojnë të gjitha këto, dhe po t’i bësh bashkë Krenaltë përsëri kanë kuptim.
Kur i vura emrin vajzës kontrollova nëpër Gjendjen Civile a ka Nalta të tjera, nuk kishte, pra më rezultoi që ishte një emër shumë i veçantë. Tani janë shtuar disa, sepse është bërë publike dhe ka disa Nalta të tjera këtu dhe në Kosovë por jam e kënaqur me këtë”, tha Spiropali.
Po për emrin e djalit? “Po Kren, mendova disa opsione. Lis nuk ma pranoi bashkëshorti, se tingëllonte si emri im. Tha po t’ia vëmë Lis, duket sikur i ke vënë emrin tënd më tha. Kren më ka pëlqëyer gjithmonë kjo fjalë “kren” në vend të “kokë”. Fjala “nalt” më pëlqen më shumë se fjala “lart”, shtoi ajo.