Klodian Tomorri
Kredo Financë është një kompani që e klasifikon veten në kategorinë e sipërmarrjeve fintech. Në botën moderne kjo kategori nënkupton firmat inovative, të cilat përdorin teknologjinë për përmirësuar shërbimet financiare tradicionale. Por pas fjalës fintech, në rastin e Kredos fshihet një model problematik biznesi. Dhe ky model është i thjeshtë.
Kompania ka një portofol parash, të siguruara nga aksionerët e saj apo përmes humarrjes nga investitorë të ndryshëm në disa platformave të caktuara si Mintos. Këto para ajo ja u jep hua qytetarëve apo bizneseve shqiptare në formën e mikrokredive të shpejta, pa kolateral. Shuma e tyre mund të arrijë deri në 600 mijë lekë, ose 5 mijë e 500 euro. Ky është biznesi i Kredos dhe të ngjashmëve të saj.
Sipas të dhënave nga bilanci, në fund të vitit të kaluar stoku total i huave që Kredo Finance ka dhënë për qytetarët shqiptarë arriti në 3.3 miliardë lekë ose 30.5 milionë euro. Për këtë portofol kredish, kompania arkëtoi vitin e kaluar 2.5 miliardë lekë të ardhura nga interesat, gjobat, komisionet dhe tarifat e shtyrjes së kredive. Pra 76 për qind të ardhura mbi stokun e kredive.
Me pak fjalë, modeli i biznesit të Kredos është ky. Për cdo 100 lekë që kompania ka dhënë kredi, ajo gjeneron 76 lekë të ardhura në vit nga interesat dhe kostot e tjera që u ngarkohen kredimarrësve. Zyrtarisht quhet fintech. Në të vërtetë është kredidhënie grabitqare.
BSH që rri e vështron
Debatet për normat e lartë të interesit dhe praktikat jo etike nga kompanitë e mikrokredive të shpejta e detyruan Bankën e Shqipërisë që në vitin 2021 të vendoste tavan mbi normat e interesit të tyre. Për kreditë me këste deri në shumën 200 mije lekë, interesi efektiv 1 vjeçar u kufizua në 118.96 për qind. Kredo lundron në limitet e këtij kufiri.
Sipas të dhënave që publikon BSH për muajin gusht të këtij viti, norma efektive e aplikuar nga Kredo ishte 115 për qind, 108, për qind, 103 për qind dhe 108 për qind në vit respektivisht për kredinë 1 vjeçare, atë 2 vjeçare, kredinë 3 vjeçare dhe atë 4 vjeçare.
Institucionet e specializuara dhe ekspertët ndërkombëtarë të financave kanë përcaktuar se norma maksimale e një kredie që të quhet e përballueshme duhet të jetë deri në 36 për qind në vit. Kredo po i ngarkon qytetarët shqiptarë mbi 3 herë më shumë se ky interes. Me pak fjalë, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në të vërtetë nuk ka zgjidhur asgjë.
Mikrokredia e shpejtë në Shqipëri realisht është “kredi grabitqare” e maskuar nën togëfjalëshin fintech. Dhe Banka e Shqipërisë rri e vështron. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse fajde e legalizuar me ligj. Dhë në fund pyetja që shtrohet natyrshëm është; kujt i duhet ky model biznesi?
Avokatët e mikrokredisë thonë se këto kompani shërbejnë një segment konsumatorësh, të cilët nuk kanë akses në banka. Ndërsa normat e larta me faktin se kreditë jepen pa garanci dhe kanë risk të lartë moskthimi. Sipas tyre, ky model biznesi i tillë është. Por Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë studim, se cilët kategori konsumatorësh marrin kredi në institucione. Çfarë bëjnë ata me këto para dhe si preken financiarisht personat që hyjnë në sipiralen e borxheve të shpejta, që ofrojnë mikrokreditë?
Më tej akoma çfarë fiton ekonomia nga ky model biznesi, i cili është i kalbur gjer në palcë dhe që sot në Europë lejohet masivisht vetëm në 3 apo katër vende? Ato janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Moldavia dhe Bosnja. Askund në Bashkimin Europian. A ndihet Banka e Shqipërisë komode nga kjo që rri e vështron, teksa mijëra qytetarë zhyten në spiralen mjeruese të kredive grabitqare, që u shiten si inovacion financiar?/Marrë nga oligarkia.al/