Përfaqësues të pushtetit lokal, deputetë të Elbasanit, familje të dëshmorëve të rënë në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, kanë përkujtuar sot 78 vjetorin e çlirimit të Elbasanit.
Në këtë ceremoni organizuar tek Lapidari i Dëshmorëve të Brigadës së XV Sulmuese ka qenë i pranishëm edhe drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, i cili në urimin e tij ngriti lart vlerat e dëshmorëve të luftës nacional çlirimtare, dhe qytetit të Elbasanit. Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja në çelje të kësaj cereminie historike për qytetin pohoi se “sot kujtojmë së bashku një nga ditët më të rëndësishme, atë të çlirimit të Elbasanit, si edhe 23 partizanët e Brigadës se XV Sulmuese, të cilët dhanë jetën për çlirimin e qytetit tonë.
78 vjet më parë partizanët e Brigadës së 15 Sulmuese të ngritur në luftë bashkë me popullin çliruan qytetin pikërisht në 11 Nëntor të vitit 1944.
Shumë familje patriotike të qytetit, por jo vetëm, e cilësuan 11 Nëntorin si festën më të madhe.
Në ditën e çlirimit, nisi të respektohej tradita e festave, ku në çdo ballkon apo derë të shtëpive elbasanase u var flamuri i kuq kombëtar.
Gjatë luftës së Dytë Botërore qyteti pësoi dëme të mëdha materiale dhe ekonomike si dhe humbje në njerëz. Gjatë kësaj kohe u dogjën krejtësisht 1263 shtëpi, dhe mbi 300 veta dhanë jetën gjatë viteve të luftës, ku vetëm në Elbasan dhanë jetën për liri 136 dëshmorë. Por, dëshmorë të Elbasanit janë edhe 400 normalistët që studiuan në Normalen e Elbasanit dhe ranë heroikisht në luftë në krahina të ndryshme të Shqipërisë.
Shumë të tjerë u vranë, internuan apo u torturuan, në burgjet, kampet e përqendrimit të pushtuesit fashist apo nga lufta e brendshme vëllavrasëse.
Në kujtim të kësaj dite, do t’u lutesha që së bashku të vazhdojmë të ruajmë me fanatizëm historinë e qytetit tonë, dhe të respektojmë gjakun e derdhur të atyre të rinjve të cilët u flijuan për një Elbasan dhe Shqipëri të lirë.
Të respektojmë çdo sakrificë të dëshmorëve dhe të gjithë popullit elbasanas që pa ndërhyrjen e askujt, bënë të mundur çlirimin e vendit nga fashizmi.
Ndaj dhe sot pas 78 vitesh, ne e kemi nder të jemi qytetarë të Elbasanit, qytetit të dijes dhe arsimit, të kulturës dhe mikpritjes! Elbasani është dhe mbetet një krahinë e rëndësishme, një “gur” themeli që i ka dhënë shumë Shqipërisë vit pas viti dhe do të vazhdojë ti japë edhe në vijim dije, mirësi dhe atdhedashuri, por më shumë se kaq kulturën europiane. Jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë ta çojmë qytetin tonë përpara duke përballuar çdo sfidë dhe përmirësuar çdo aspekt të jetës së qytetarëve, në çdo cep ku ata ndodhen!
Deputeti Damian Gjiknuri gjatë fjalës së tij ngriti lart vlerat historike të Elbasanit, duke shtuar se “Shqipëria kur u vu në sfidë zgjodhi anën e duhur të historisë, populli sakrifikoi për një të ardhme të mirë, dhe për të mbajtur kahun e duhur të historisë. Elbasani, jo vetëm që zgjodhi anën e duhur në luftën për çlirim, për të ardhmen e vendit, ndaj e them me krenari se Elbasani ka dy komponentë armën dhe librin, është vatra e dijes por edhe e trimërisë. Ndaj bëhemi krenar dhe të përulemi përpara sakrificës së të parëve tanë, dhe të mendojmë nga vijmë dhe ku shkojmë. Jam i bindur se e ardhmja e Elbasanit do mendje dhe zemër, dhe në këtë qytet ne i gjejmë të dyja”.
Nën himnin e flamurit ceremonia vijoi me vendosjen e kurorave me lule si simbol dhe respekt për të rënët në luftë.