Ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë tashmë janë lënë pas dhe Elbasani e Vllaznia, dy skuadrat e eliminuara tashmë nga ky kompeticion, do të përgatiten për supersfidën në mes tyre e cila do të luhet ditën e hënë në ora 19:00 në “Elbasan Arena”. Në prag të kësaj përballje ka dhënë një prononcim për mediat ish- portieri i njohur i Elbasanit Muharrem Dosti i cili është shprehur:
“Duhet ta harrojmë sa më shpejt eliminimin nga Kupa dhe të mendojmë menjëherë për ndeshjen e rradhës me Vllazninë e cila vjen shumë shpejt dhe skuadra duhet të jetë maksimalisht e fokusuar tek ajo. Unë kam besim tek ekipi se do ta ngrejë moralin dhe do të kthehet prapë tek fitorja.
Kuptohet që një plus i madh për Elbasanin në këtë ndeshje do të jetë tifozëria e zjarrtë e tij dhe jam i bindur se ajo do të vijë ta mbështesë ekipin. Tashmë i gjithë fokusi duhet të jetë i përqendruar tek kampionati i cili është më i rëndësishëm se kupa.
Sa i takon ndeshjes me Vllazninë, ne kemi qenë gjatë gjithë kampionatit dy ekipet më të mira dhe rivalë për kampion. Ky takim duhet vlerësuar në maksimum dhe duhet ta shfrytëzojmë faktorin fushë. Nga ana tjetër duhet të dimë se kampionati nuk mbaron nesër dhe jo çdo gjë varet nga rezultati i takimit me shkodranët sepse janë edhe disa ndeshje të tjera deri në fund, por gjithsesi rezultati i kësaj përballje vlen shumë edhe nga ana psikologjike”
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.