Ndërsa kanë kaluar rreth pesë vjet pas miratimit të Ligjit 45/2016 “Për Vullnetarizmin”, Organizatat e ShoqërIsë Civile dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e tij në të shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit si kudo në vendin tonë ndeshen ende me vështirësi në implementimin e tij. Problematika kryesore e evidentuar në bashkitë e këtij Qarku sikurse edhe në të gjitha bashkitë e tjera ka të bëjë me mosnjohjen e saktë, kuptueshmërinë dhe zbatimin në praktikë të ligjit të vullnetarizmit.
Sikurse shumica e qytetarëve edhe komuniteti i gazetarëve që punojnë për mediat lokale dhe ato kombëtare në Elbasan dhe jo vetëm, nuk kanë njohuri të bollshme rreth konceptit të vullnetarizmit. Madje edhe gjatë punës së tyre të përditëshme ende gazetarët nuk i kushtojnë pothuajse asnjëherë vëmendje njohjes së këtij ligji. Madje jo vetëm që nuk njihet ligji por as tema të tilla nuk rezulton të jenë trajtuara ndër vite.
Vetëm gjatë viteve të fundit kur vendi ynë u godit nga fatkeqësi natyrore si përmbytjet dhe tërmetet shkatërrimtare te Shtatorit dhe Nëntorit të vitit 2019 ka filluar të flitet më shpesh për vullnetarizmin. Në fjalorin e përditshëm kuptueshmëria e vullnetarizmit është disi më e qartë nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në disa aspekte. Nga ana tjetër është pozitiv fakti që ka një ligj që rregullon vullnetarizmin, por kuadri nënligjor nuk është ende i plotë dhe mundësues për shumë OSHC-të që kanë në fokus të punës së tyre vullnetarizmin.
Ligji aktual sikurse thonë ekspertët do të duhet të mishërohet në një koncept kombëtar për vullnetarizmin dhe qytetarinë aktive, i cili do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile duke ndjekur praktika evropiane të mira dhe të realizueshme në praktikë. Vullnetarizmi vlerësohet një ndër praktikat më efikase për ndërtimin e komuniteteve më të qëndrueshme, kohezive dhe sjell benefite të panumërta në dobi të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor. Vullnetarizmi nga ana e qytetarëve rezulton se perceptohet shpesh si një parim apo vlerë që buron nga prirja e brendshme e individit për të qenë i dobishëm në komunitetin ku ai jeton.
Për qytetarët puna vullnetare konsiderohet një kontribut i papaguar, që e pajis individin me vlera përtej përfitimit material dhe personal. Sipas gjykimit të qytetarëve të grupmoshave të ndryshme puna vullnetare nxit ndjenjën e solidaritetit në komunitet dhe i bën njerëzit më aktivë dhe të dobishëm. Kjo u pa mjaft qartë në zonat e prekura nga fatkeqesite natyrore të vitit 2019 në zonat e Durrësit e Thumanës por më herët edhe në disa zona të Qarkut të Elbasanit si në atë të Belshit e Cerrikut. Ndërkohë që vullnetarizmi mori përmasa edhe më të mëdha me fillimin e Pandemisë së Covid 19 dhe aktualisht vështirësitë e implementimit të zbatimit të ligjit të vullnetarizmit duket se po vijnë duke u zbutur.
Ndryshe nga vendi ynë në botë vullnetarizmi konsiderohet një përvojë tepër e rëndësishme në kurrikulën personale të çdo individi. Në Shqipëri kjo eksperiencë nuk ka ende rëndësinë e duhur. Vullnetarizmi në Shqipëri përballet me një sërë sfidash institucionale, ligjore, praktike, strukturore, individuale etj. Nga vëzhgimet rezulton se ekziston një mungesë e mekanizmave institucionalë funksionalë për ta mbështetur vullnetarizmin në Shqipëri.
Edhe mungesa e strukturave në nivel vendor apo qendror për angazhimin e vullnetarëve përbën një pengesë për vetë vullnetarët që dëshirojnë të kryejnë punë vullnetare apo edhe për ato institucione dhe OSHC që duan të angazhojnë vullnetarët në situata të caktuara sikurse janë fatkeqësitë natyrore.Po kështu edhe mungesa e informacionit dhe ndërgjegjësimi i ulët mbi mundësitë e vullnetarizmit apo institucionet që mundësojnë praktikat vullnetarë janë faktorë të tjerë që pengojnë angazhimin e qytetarëve në aktivitete vullnetare.
Në Bashkinë e Elbasanit kohët e fundit ka më nje vemendje te shtuar ndaj vullnetarizmit. Ndërkaq në një situatë të tillë mbetet domosdoshmëri rritja e ndërgjegjësimit të përfaqësuesve të medias lokale dhe të mediave kombëtare rreth vullnetarizmit dhe impaktit të tij. Media luan rol të rëndësishëm në promovimin e kauzave. Rritja e kapaciteteve të përfaqësuesve të medias për të trajtuar me profesionalizëm çështjet e vullnetarizmit mbetet prioritet kryesor.
Gazetarët duhet të angazhohen shumë më tepër për të promovuar nxitjen e vullnetarizmit si te qytetarët edhe te ofruesit e vullnetarizmit si edhe tek institucionet politikëbërese. Promovimi i modeleve pozitive dhe vullnetarizmit në tërësi ka të bëjë me nxitjen e disa figurave si pika referimi që konsiderohen ndryshe si agjentë të zhvillimit lokal, që kryesisht janë të rinj aktivë.
Tashmë është koha që Media vizive dhe ajo e shkruar duhet t’i japë më shumë hapësirë vullnetarizmit në tërësi, të sjellë më shumë të dhëna dhe të promovojë modelet pozitive të individëve, grupeve apo institucioneve. Ashtu sikurse Mediat edhe Keshillat rinore pranë bashkive janë një burim i mirë për të nxitur vullnetarizmin. Por krahas këtyre aktorëve të rëndësishëm me përdorimin në shkallë të gjerë të teknologjisë mënyrat më të mira për të promovuar vullnetarizmin në Shqipëri tashmë janë edhe platformat online si edhe faqet e internetit, rrjetet sociale (facebook, twitter, linked-in), takimet informuese ballë për ballë, media lokale apo kombëtare dhe bordet/këshillat e studentëve apo grupe të tjera informale.
Por megjithë punën e bërë kohët e fundit që nga miratimi i ligjit të vullnetarizmit me keqardhje konstatohet se të rinjtë nuk kanë informacione të mjaftueshme të detajuara se çfarë është vullnetarizmi, benefitet, si të bëjnë vullnetarizëm. Pra, sfidë në vetvete është që qytetarët shqiptarë e sidomos të rinjtë të njihen me konceptin e vullnetarizmit, të dinë se çfarë përfitojnë ..
Edhe pse jemi në muajin Tetor të vitit 2021 Bashkitë nuk kanë një strukturë të dedikuar për vullnetarizmin, por praktikat vullnetare realizohen në kuadër të ndonjë iniciative apo projekti. Rrjeti i vullnetarëve në bashki menaxhohet në disa raste nga Drejtoria e Rinisë, por nuk është një praktikë e institucionalizuar sipas ligjit të vullnetarizmit. Gjithsesi duhet theksuar fakti se koncepti i vullnetarizmit ka ndryshuar dhe evoluar me kalimin e kohës por megjithatë në Qarkun e Elbasanit ku bëjnë pjesë bashkitë e Elbasanit, Librazhdit, Prrenjasit, Gramshit, Cerrikut, Peqinit e Belshit.
Por si kudo në Shqiperi, koncepti i vullnetarit edhe ne këto bashki konsiderohet shpeshherë si një nocion i vjetërsuar dhe “demode”, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, por jo për nga ana përmbajtësore, ndërsa përfaqësues të organizatave lokale përdorin termin aktivist, sepse vullnetarizmi shpeshherë shihet i lidhur dhe diktuar nga periudha e sundimit komunist, i cili perceptohet negativisht si një punë që individi shfrytëzohet.
Megjithatë, është e rëndësishme që të rritet niveli i informimit, ndërgjegjësimit si dhe modeleve nga vende të ndryshme se vullnetarizmi nuk ka moshë, vullnetar mund të jetë kushdo. Vullnetarizmi në Elbasan si kudo në Shqipëri është akoma një koncept i cili trajtohet në dimensione të ndryshme dhe ashtu si në shumë studime ndërkombëtare, koncepti i vullnetarizmit varion nga zhvillimet gjuhësore, historike e kulturore. Këto zhvillime ndikojnë akoma në mënyrë të ndërgjegjshme apo pandërgjegjshme si tek individët, ashtu dhe te përfaqësues të institucioneve të ndryshme në vend. Konceptin dhe situatën e vullnetarizmit e percepton ndryshe një person i moshës 60 vjeç, krahasuar me një person të ri 20 vjeçar; disa e konsiderojnë si humbje kohe dhe disa e konsiderojnë si mundësi për t’u zhvilluar.
Shpeshherë perceptohet si ndihmë dhe kontribut për të tjerët, veçanërisht target grupet në nevojë. Vullnetarizmi perceptohet pjesëmarrje me vullnet të lirë në një veprimtari pa asnjë lloj përfitimi material dhe në dobi të një kauze, personi apo një grupi individësh. Vullnetarizmi perceptohet shpesh si një parim apo vlerë që buron nga prirja e brendshme e individit për të qenë i dobishëm në komunitetin ku ai jeton.
Në tërësi, vullnetarizmi që nuk njihet, nuk kuptohet dhe nuk vlerësohet për gjithë vlerat dhe përfitimet që sjell në të gjitha dimensionet dhe nivelet e tij. Megjithatë, vitet e fundit vihet re një ndryshim në mendësi dhe përqasjen e qytetarëve në lidhje me konceptin e vullnetarizmit, e shprehur kjo më shumë te të rinjtë.
Në nivel ndërkombëtar vullnetarizmi është i rregulluar në forma dhe mekanizma të ndryshme. Këto rregullime ndihmojnë zhvillimin e këtij sektori dhe në Shqipëri, pasi janë të testuara si nga aspekti rregullator ligjor, ashtu dhe ai praktik në nivel të gjerë europian dhe global. Këto rregullime mund të jenë referim dhe për rregullimet e nevojshme të përmirësimit dhe nxitjes së vullnetarizmit në vendin tonë.
Aktivitetet kushtuar vullnetarizmit kryhen pa përfitime financiare, duke ndikuar shoqërisë civile, sektorit të biznesit dhe aktorëve të tjerë. Vullnetarizmi sjell një sërë përfitimesh në nivel individual, komunitar, institucional dhe shoqëror, një pjesë e mirë e integruar me vlerat që përçon në kauza dhe aktorë të ndryshëm. Ky sesion përmbledh veçanërisht disa nga përfitimet në nivel individual (për vullnetarin pozitivisht në zhvillimin personal. Vullnetari angazhohet në punë të papaguar, duke investuar kohë dhe energji për t’i shërbyer një të mire të përgjithshme apo misioni më të lartë.
Fakti që vullnetarizmi kryhet pa asnjë shpërblim, nuk do të thotë që nuk sjell benefite personale për individin. Përkundrazi, kontributi vullnetar ndihmon në rritjen personale, zhvillimin e aftësive për jetën e individëve që angazhohen në aktivitete të tilla. Nga ana tjetër, vullnetarizmi është një mundësi shumë e mirë për të përfituar një eksperiencë praktike, eksperiencë pune dhe përfitimi nga një gamë e gjerë njohurish apo aftësish për zhvillimin e tyre profesional. Angazhimi vullnetar rrit gjasat për një karrierë më të suksesshme, pasi u mundëson vullnetarëve të fitojnë dhe të përvetësojnë njohuri të reja, aftësi administrative, menaxheriale, të punuarit në grup dhe individualisht.
Gjithsesi, motivimi dhe fillesat duhet të jenë për të mbështetur dhe besuar në kauzën që çdo vullnetar angazhohet. Vullnetarizmi është, gjithashtu, një mekanizëm shumë i mirë për aktivizimin qytetar në dobi të komunitetit dhe shoqërisë, duke qenë se individët e përdorin kohën në mënyrë eficiente dhe produktive në emër të një të mire të përbashkët (Qendra Rinore, 2015). Në këtë kontekst duhet që theksi i përfitimeve nga angazhimi vullnetar të jetë më shumë dimensional dhe i orientuar nga vullneti i lirë, nga dëshira për përmirësim dhe zhvillim shoqëror e individual, duke mos mbajtur theksin veçanërisht në përfitimet që vullnetarizmi sjell në punësimin e individëve, sepse përfitimet janë shumë më të gjera se kaq dhe shumë më shumë afatgjata.
Disa benefite nga shërbimi si vullnetarë janë: zhvillimi i aftësive personale dhe aftësive për jetën; përmirësimi i mundësive për karrierë, reflektimi rreth aftësive në tregun e punës, një urë lidhëse/ndërmjetëse ndërmjet studimeve dhe tregut të punës; nxit empatinë, gjithëpërfshirjen dhe solidaritetin ; krijon lidhje dhe socializim, forcon kapitalin social; përmirëson cilësinë e jetës dhe ndikon pozitivisht në lidhjen e ngushtë me komunitetin. Çdo vullnetar përjeton dhe përfiton zhvillimin e aftësive në forma dhe mënyra të ndryshme, ndaj ndonjëherë nuk është e lehtë të përmbledhësh përfitimet, pasi ato janë të shumta, shpeshherë demonstrohen gjatë ushtrimit të vullnetarizmit dhe herë të tjera në terma afatmesëm apo afatgjatë.
Vullnetarizmi sjell një sërë përfitimesh në nivel individual, komunitar, institucional dhe shoqëror, një pjesë e mirë e integruar me vlerat që përçon në kauza dhe aktorë të ndryshëm.
Interesi në shumë aspekte i vullnetarizmit është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Vullnetarizmi është i mbushur me vlerat e solidaritetit, reciprocitetit, besimit të ndërsjellë, përkatësisë dhe fuqizimit. Të gjitha këto kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në cilësinë e jetës. Vullnetarizmi është një ndër shprehjet më themelore të sjelljes njerëzore, lindur nga traditat e lashta për shkëmbime reciproke. Në thelbin e tij janë marrëdhëniet njerëzore dhe potenciali i tyre për të rritur mirëqenien e individëve dhe komunitetit.
Vullnetarizmi lidhet, gjithashtu, me nevojën e individëve për të marrë pjesë aktivisht në shoqërinë e tyre, si dhe kujdesit që ata kanë për të tjerët. Ne besojmë se vullnetarizmi shkon shumë larg, përtej thjeshtë kryerjes së një detyre të caktuar, ai krijon dhe mban lidhje besimi dhe reciprociteti. Njerëzit në të gjithë botën përfshihen në vullnetarizëm për një larmi arsyesh: për të ndihmuar në eliminimin varfërisë, për të përmirësuar shëndetin dhe edukimin, për të mbështetur grupet me mundësi më të pakta, për të adresuar dhe mbështetur çështje tëmjedisit dhendryshimet klimatike, për të zvogëluar rrezikune katastrofave, për të luftuar përjashtimin social etj.
Në të gjitha këto fusha, vullnetarizmi kontribuon gjerësisht në paqe dhe zhvillim. Vlerat e vullnetarizmit dhe shprehja e tij janë gjithashtu jashtëzakonisht të rëndësishme në forcimin e kapaciteteve për grupet me më shumë nevojë, që të arrijnë të sigurojnë jetesën dhe për të rritur mirëqenien fizike, ekonomike, shpirtërore dhe sociale. Për më tepër, vullnetarizmi mund të zvogëlojë përjashtimin social, i cili shpesh është rezultat i varfërisë, margjinalizimi dhe format e tjera të pabarazisë.
Sot, mbase më shumë se kurrë më parë, kujdesi për njëri-tjetrin dhe solidariteti janë një domosdoshmëri, jo një veprim bamirësie. Vullnetarizmi, gjithashtu, formon shtyllën kryesore të shumë organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, organizata të tjera të shoqërisë civile, si dhe lëvizjet shoqërore dhe politike; është i pranishëm dhe një shtyllë e rëndësishme në sektorin publik, në institucionet e edukimit dhe shëndetësisë, dhe po bëhet gjithnjë e më shumë një tipar i sektorit privat.
Vullnetarizmi nuk është një relike nostalgjike e së kaluarës, edhe pse moshat që kanë jetuar periudhën komuniste e bëjnë një lidhje direkte me të, por kemi tjetër këndvështrim dhe përqasje te të rinjtë, të cilët e konsiderojnë si një mundësi për zhvillimin e tyre dhe të shoqërisë. Është një koncept që po kuptohet dalëngadalë për vlerat që ai përcjell dhe elementët që ai përmban.
Në kushtet kur politikat dhe legjislacioni mbi vullnetarizmin mbeten ende të paqarta për një pjesë të konsiderueshme të OSHC-ve, duke krijuar vështirësi të vazhdueshme për mënyrën se si këto institucione duhet t’i angazhojnë vullnetarët në programet e tyre. Në Elbasan si kudo në Shqipëri nuk ka studime të cilat sjellin të dhëna rreth perceptimit të vullnetarizmit në tërësi, si dhe impaktit që vullnetarizmi ka në nivele të ndryshme: ndërpersonal, komunitar, institucional dhe shoqëror. Nga ana tjetër, nuk ka studime të cilat masin dhe analizojnë sfidat, nevojat, mundësitë dhe perspektivat në nivele të ndryshme. Ndonëse ka pak studime mbi vullnetarizmin në Shqipëri, ato përqendrohen kryesisht në një qasje jo gjithëpërfshirëse, duke eksploruar kryesisht angazhimin rinor, pra, duke ofruar një tablo të pjesshme të kontributit vullnetar.
Sipas Ligjit të Vullnetarizmit, vullnetarizmi është investimi me vullnet të lirë i kohës, njohurive dhe aftësive për kryerjen e aktiviteteve ose shërbimeve nga vullnetari, në dobi të ofruesit dhe/apo përfituesit të vullnetarizmit. Vullnetarizmi kryhet pa pagesë, pa kompensim ose ndonjë përfitim tjetër material.
Ligji për vullnetarizmin ka sjellë një efekt të kundërt me atë që pritej, duke u bërë barrierë për organizatat e shoqërisë civile për shkak se është i fokusuar vetëm tek vullnetarizmi i strukturuar dhe lë jashtë çdo formë tjetër të vullnetarizmit. Ligji u vë organizatorëve të vullnetarizmit barrën e pajisjes me siguracion të vullnetarëve, një barrë ekonomike e cila është e papërballueshme të paktën nga OSHC-të. Është tashmë e qartë që sektori i vullnetarizmit ka nevojë për një ndërhyrje urgjente përsa i përket aspektit ligjor dhe karakterit social dhe kohët e fundit po bëhen përpjekje serioze për përmirësimin e ligjit aktual të vullnetarizmit në aspektin e konceptit gjithëpërfshirës por edhe për të rregulluar barrierat që ka vendosur ky ligj për ofruesit e vullnetarizmit.
Vullnetarizmi i qëndrueshëm mund të nxitet duke krijuar një mjedis më mundësues dhe favorizues institucional, infrastrukturor, programatik dhe ligjor për ofruesit e praktikave vullnetare dhe ndërgjegjësim mbi përfitimet e vullnetarizmit për qytetarët, ashtu dhe për aktorët kyç kompetentë.
Nga FATMIR POPJA