Brunilda Halla 37 vjeç, një shqiptare që jetonte prej vitesh në Itali, është vrarë pas goditjes me thikë përpara shtëpisë së saj.
Ngjarja ndodhi të mërkurën në zonën e Raguzës. 37-vjeçarja u godit me thikë nga një person. E plagosur, arriti të futej brenda shtëpisë së saj. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ambulanca, por fatkeqësisht nuk mundën të bënin asgjë për gruan shqiptare. Ajo ndërroi jetë sapo shkoi në spital për shkak të gjakderdhjes.
Gazetat lokale italiane raportojnë se ajo u godit me thikë përpara syve të djalit të saj 11-vjeçar, por hetuesit nuk e konfirmojnë një fakt të tillë.
Policia nisi menjëherë hetimet për këtë ngjarje dhe nga analizimi i kamerave të sigurisë identifikoi një person të dyshuar. Ky i fundit u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mediat italiane raportojnë se autori e ka pranuar krimin. Megjithatë motivet e vrasjes janë ende të paqarta.
Brunilda Halla ishte e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. /tvklan.al