Policia italiane vazhdon hetimet për dy vdekjet e ndodhura më 7 qershor, atë të transgjinores Camilla dhe shqiptares Nevila Pjetri, trupat e pajetë të të cilëve u gjetën në harkun kohor të 24 orëve jo shumë larg njëri-tjetrit.
Për të dyja krimet është arrestuar 32-vjeçari Daniele Bedini.
Ai mbetet në burg edhe për indikacionet e tjera të fajit që po dalin ndaj tij.
Ndërkohë mësohet se në shtëpinë e Bedinit, në Carrara, janë gjetur dokumentet e transeksualit bashkë me disa sende personale të viktimës.
Këtë e konfirmojnë burime hetimore dhe është vetë avokati i Bedinit, Rinaldo Reboa, i cili ka folur në një intervistë për Rai.
Vrasësi i dyshuar i 35-vjeçares me origjinë shqiptare Nevila Pjetri dhe i Carlo Bertolotti, transeksuales Camilla me banim në Albiano Magra, qëndron i paraburgosur në burgun Villa Andreino, në La Spezia, ku u bë marrja në pyetje pasditen e djeshme.
Ai nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve.
Bedini akuzohet se ka vrarë Nevilën, 35 vjeç, dhe në të njëjtën natë Camillën, të dyja në të njëjtën mënyrë: të shtëna me armë zjarri në kokë.
Motivi dyshohet se është ai i grabitjes për të marrë para për të blerë drogë.
Vrasjet kanë ndodhur në një zonë mes Liguria dhe Toscana, në komunën Sarzana, në Marinella, zonë e njohur për prostitucion.
Hetimet e kryera nga karabinierët e La Spezia-s, vijojnë me shpejtësi në pritje të konfirmimit të inspektimit të Ris di Parma që u bë dje dhe ku u identifikuan gjurmë gjaku në automjetin e Bedinit.
Ndërkohë, mësohet se me mbërritjen e karabinierëve në shtëpinë e tij ditën e arrestimit ai tentoi të arratisej duke u hedhur nga tarraca në rrugë.