Tuesday , April 1 2025

Vota si Amanet – Mesazhi i Myftiut të Elbasanit Agim Duka në Ditën e Fiter Bajramit

Pas faljes së Namazit të Fiter Bajramit, Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, mbajti një ligjëratë frymëzuese për besimtarët, duke theksuar vlerat e Ramazanit dhe rëndësinë e devotshmërisë në jetën e përditshme. Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te përgjegjësia qytetare në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar votën si një amanet të shenjtë.

Duke cituar vargje nga Kurani dhe thënie të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), Myftiu theksoi se vendimmarrja e çdo qytetari duhet të jetë e ndershme dhe larg ndikimeve korruptive. “Zgjedhjet janë një provë e ndërgjegjes sonë. Nuk duhet të shesim vullnetin tonë dhe as të blejmë ndërgjegjen e tjetrit. Vota është një përgjegjësi për të ardhmen tonë,” u shpreh ai.

Myftiu Duka i bëri thirrje besimtarëve që të mbajnë gjallë vlerat e sakrificës dhe përkushtimit të mësuara gjatë Ramazanit, duke kontribuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të ndershme. Ai uroi që kjo festë të sjellë paqe, begati dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.

Fiter Bajrami u festua me gëzim dhe solidaritet në mbarë qytetin e Elbasanit, duke rikthyer mesazhin e unitetit dhe përgjegjësisë kolektive.