Deputeti i Partisë Socialiste ka reaguar pas rritjes së çmimit të vajit të misrit i cili ka arritur deri në 500-550 lekë, një produkt ky që është i pakontrolluar nga Bordi për çmimet.
Përmes një video në “Facebook”, Braçe i bën thirrje qytetarëve që të blejnë vajin e ullirit të vendit tonë në mënyrë që të ushqehen më shëndetshëm dhe të kursejnë pasi shitet 100-150 lekë më pak se vaji i misrit.
“Çfarë t’ju them? Natyrisht që Bordi i çmimeve bëri mirë që vuri në kontroll çmimin e vajit të lulediellit, por mesa duket qenka kompensuar me çmimin e vajit të misrit. E kisha dëgjuar edhe këtë fakt.
Bordi bëri një ushtrim jetik për vajin e lulediellit, analizoi blerjen dhe vuri nën kontroll çmimin. Një thirrje kam, nga Lushnja në Divjakë, Berat, Fier, Dumre, sipër në Lezhë keni vaj ulliri me 400-450 lekë/litër.
Sa të blini vaj misri me 500-550 lekë, shkoni e blini vajin tonë të ullirit, është i jashtëzakonshëm për t’u ushqyer dhe për të kursyer siç duket qartë nga çmimet tani”, thotë Braçe.