Ullinjtë e mbjellë përreth bazës ushtarake prej 30 vitesh/ Banorët e Mengëlit në protestë

Rreth 40 familje në Mengël të Elbasanit janë ngritur sot në protestë. Banorët thonë se prej 30 vitesh kanë shfrytëzuar tokën në pronësi të shtetit dhe se kanë investuar për ta mbjellë ullinj për të cilën u është dashur edhe të hapin vetë rrugën. Teksa vetëm vitet e fundit pemët kanë hyrë në prodhim pa asnjë lajmërim kanë parë sesi në parcela janë vendosur shenja dhe vetëm pas interesit të tyre u është komunikuar se toka do ti rikthehet bazës ushtarake.

Të indinjuar për mundin e tre dekadave thonë se është e padrejtë që toka tu merret papritur pasi edhe pse nuk disponojnë dokumentacion kanë paguar taksa. Sipas tyre janë detyruar të mbjellin në tokën shtetërore pasi nuk kanë përfituar tokë nga ligji 7501.

Nuk janë kundër faktit që sipërfaqa me ullinj ti kalojë bashkisë së Elbasanit dhe ti paguajnë qeranë kësaj të fundit. Edhe pse thonë se kanë dërguar shkrese pranë njësisë vendore nuk kanë marrë përgjigje.

Kryetari i njësisë administrative Labinot Fushë Astrit Hazizi thotë  se moralisht banorët kanë të drejtë , por ligjërisht jo.

Banorët e ngritur në proteste nënvizojnë faktin se ekonomia e tyre familjare varet nga kjo sipërfaqe toke dhe sipas tyre nuk është e drejte që shteti i lejoi të investonin dhe tashmë vendos tua marrë nga duart prodhimin, për të cilin kanë derdhur mund e djersë.