E zbuluar 15 vite më parë, bazilika paleokristiane në qendër të Elbasanit edhe pse me një vlerë të rrallë arkeologjike, ende nuk ka marrë rëndësinë që i takon dhe ajo që është më shqetësuese ende nuk është e vizitueshme dhe mungon informacioni për këtë objekt.
Por lajmi i mirë këto ditë është fakti që Instituti i Arkeologjisë, ka vendosur të rinisë punimet në këtë bazilikë, pas ndërprerjes që nga viti 2020.
“E rëndësishme është që në disa pika të monumentit po shkojmë deri në përfundim të punës po sqarojnë arkitekturën edhe në kuadër të restaurimin e monumentit, duke menduar edhe vizitueshmërinë”, thotë dr. Elio Hobdari, drejtues i punimeve.
Por sa e rëndësishme është kjo bazilikë, e cila ndodhet në ish-rrugën Egnatia dhe si ndërthuret kjo me objektet e tjera arkeologjike dhe që ndodhen në zonën e Elbasanit?
“Eshtë një aset i rëndësishëm, që shkon edhe përtej Elbasanit, shërben për të kuptuar më mirë edhe monumentet e tjera të qytetit. Jemi në rrugën Egnatia, një vend tejet i rëndësishëm”, shton Hobdari.
Por pavarësisht punës dhe zbulimeve të reja që do të bëhen nga arkeologët, ky objekt kërkon gjithashtu edhe një integrim më të mirë urban dhe me zonën ku ndodhet në mënyrë që kjo pasuri dhe trashëgimi të mos humbasë nën hijen e rrapit që ka pranë, i cili gjithashtu është një monument natyre.