Sporti duhet të reagojë ndaj situatës së fundit, edhe me masa që ndoshta cilësohen ekstreme. Ky është mendimi i Dritan Shakohoxhës. Ai është kandidat për president i FSHF-së dhe mendon se organizata që drejton futbollin në vendin tonë duhet të ndjekë shembullin e Polonisë, duke refuzuar që të luajë ndaj Rusisë.
Polakët ndeshen në play-off të Botërorit ndaj përfaqësueses ruse por kanë bërë të ditur se nuk do të zbresin në fushë kundër tyre. Shqipëria është kundërshtare e Rusisë në Ligën e Kombeve dhe sipas Shakohoxhës, duhet të bëjnë të njëjtën gjë, si solidaritet ndaj një akti lufte.
“Shqipëria duhet të refuzojë të luajë kundër Rusisë në ndeshjen e Ligës së Kombeve! Federata duhet të kishte reaguar në këtë moment njësoj siç kanë bërë Polonia, Zvicra, etj!
Nuk është asnjëherë e bukur të refuzohet një ndeshje futbolli, por në kushte të tilla ekstreme, kur perëndimi solidarizohet për atë që po i ndodh Ukrainës, e shoh të udhës një qëndrim të tillë”, deklaroi Shakohoxha për “Panorama Sport”.