‘Lumë’ tërmetesh deri 7.8 ballë tmerrojnë Turqinë dhe Sirinë, shumë të vdekur. Pamjet janë shokuese

Një furi tërmetesh deri në 7.8 ballë të shkallës Rihter kamë goditur Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar vdekjen e 360 njerëzve dhe plagosjen e qindra të tjerëve.

Tërmeti kryesor ishte 7.8 ballë në orën 02.17 të mëngjesit të sotëm. Pasuan të paktën 42 pasgoditje, më i forti me magnitudë 6.7, thanë autoritetet turke.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tha se tërmeti ishte me qendër rreth 33 kilometra nga Gaziantep. Ai ishte i përqendruar 18 kilometra thellësi.

Në të dy anët e kufirit, banorët e pagjumur nga tërmeti para agimit dolën jashtë në një natë dimri të ftohtë, me shi dhe borë, ndërsa ndërtesat u rrafshuan dhe pasgoditjet e forta vazhduan.

Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), njoftoi se sipas të dhënave të para, 76 persona kanë humbur jetën dhe 440 të tjerë janë plagosur në gjithsej 7 qytete të vendit, si pasojë e tërmetit 7.4 ballë me epiqendër në rajonin Pazarcık në qytetin Kahramanmaras.

Në Turqi, tërmeti është ndjerë kryesisht në qytetet Kahramanmaraş, Hatay, Osmaniye, Adıyaman, Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Malatya dhe Adana, si dhe në qytetet e tjera përreth.

“Sipas informacioneve të marra nga qytetet Kahramanmaraş, Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman dhe Malatya, kanë humbur jetën 76 qytetarë, ndërsa janë plagosur 440 të tjerë. Në kuadër të Planit të Ndërhyrjes ndaj Fatkeqësive të Turqisë, është shpallur alarmi në nivelin 4 dhe të gjitha grupet për fatkeqësitë janë mbledhur që qytetet tona dhe në qendrat e AFAD-it”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Shumë të vdekur në Siri

Sipas mediave shtetërore siriane, numri i të vdekurve në zonat e kontrolluara nga qeveria në Siri është rritur në 237 me më shumë se 630 të plagosur. Të paktën 47 persona u raportuan të vdekur në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Në Damask, ndërtesat u tronditën dhe shumë njerëz dolën në rrugë të frikësuar. Tërmeti i tronditi banorët në Liban nga shtretërit, duke tronditur ndërtesat për rreth 40 sekonda. Shumë banorë të Bejrutit lanë shtëpitë e tyre dhe dolën në rrugë ose u larguan me makinat e tyre larg ndërtesave.

Turqia ndodhet në majë të linjave të çarjeve kryesore dhe shpesh tundet nga tërmetet. Rreth 18,000 u vranë në tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë veriperëndimore në vitin 1999.