Deri në fund të korrikut të gjithë shqiptarët, rezidentë ose jo, të cilët kanë një llogari bankare brenda Shqipërisë, do të duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. Përmes një emaili, të gjitha bankat e nivelit të dytë i kanë kërkuar klientëve të tyre të deklarojnë adresën e vendbanimit dhe numrin tatimor.
Këto të dhëna mblidhen në kuadër të ligjit të shkëmbimit automatik të informacionit, që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti në vendin tonë dhe është pjesë e nismës globale për të luftuar evazionin. Vasilika Vjero, zv/minister e financave dhe ekonomisë tha për “Monitor Ekonomi” se “Ligji për shkëmbimin e informacionit i jep mundësi administratës tatimore shqiptare, për të shkëmbyer informacion lidhur me llogaritë bankare, lidhur me balancat e këtyre llogarive, me fitimet kapitale,
duke përfshire dividendin, interesat, të ardhurat nga shitja e aseteve, për ata individë të cilët nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë dhe nga ana tjetër, të mund të marrë një informacion nga administrata tatimore homologe apo dhe nga struktura të tjera të ngjashme me to, lidhur me individët shqiptar të cilët mund të disponojnë llogari pranë atyre shteteve.”
Kur kemi të bëjmë me të dhëna personale, shpesh mund të kemi dyshime se për çfarë do të përdoren këto informacione. Bizneset sidomos janë të shqetësuara se informacionet që tatimet mund të marrin nga llogaritë bankare mund të keqpërdoren.
Znj. Vjero thotë: “Bankat unë mendoj që duhen të jenë tejet të kujdesshme në mbledhjen e këtij informacioni apo në dërgimin e këtij formulari vetëm tek ata që do të jenë subjekt i këtij ligji, por sigurisht që ky është një ligj që garanton mbrojtjen dhe ruajtjen e te dhënave personale, të individit sepse vetë administrata tatimore ka një peshë shumë të lartë ne ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre të dhënave dhe sigurisht që ky ligj më veçanti i garanton këto.”
Altin Koçi, përgjegjës i sektorit të përputhshmërisë në Union Bank pohon se klientët nuk kanë asnjë arsye për të për të qenë të shqetësuar për keqpërdorim të të dhënave të tyre personale. “Të dhënat që do të mblidhen nga bankat përgjithësisht ato janë aty dhe ruhen përmes një ligji ekzistues. Ky ligj nuk është se po zbatohet vetëm ne Shqipëri, këtu madje ka hyre relativisht vonë. U diskutua në 2014, pastaj në 2016 e tani sërish. Janë mbi 100 shtete që kanë aderuar në këtë marrëveshje që njihet si CRS apo shkëmbimi automatik i informacionit. Kështuqë të gjithë shqiptarët, qoftë këtu apo jashtë vendit, ose janë njohur ose do të njihen me këtë ligj i cili do të veprojë kudo në botë.”
Në fund të vitit 2019, Banka e Shqipërisë raportoi se numri i llogarive bankare kishte arritur në mbi 2.94 milionë. Mbajtësit e këtyre llogarive do të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit, me të dhënat personale si emri, vendbanimi dhe numri tatimor.
Sipas Z. KOÇI, “Ka një hezitim të ligjshëm, sepse që kur kanë hapur llogarinë shumë vite përpara, asnjëherë nuk i është kërkuar ky dokumentacion dhe si në çdo aplikim ligji te ri apo dokumentacioni që kërkohet ka një hezitim nga popullata, kjo dhe për arsye të mos informimit apo të mos kuptimit në thellësi të këtij ligji. Autoritetet duhet te japin informacione më shumë, sepse ky është një ligj tatimor, jo bankar dhe nuk na takon neve të japim këshilla edhe pse jemi munduar t’ua shpjegojmë klientëve tanë.”
Administrata tatimore parashikon mbledhjen e informacionit deri në fund të vitit dhe vitin e ardhshëm do të fillojë shkëmbimi me administratat homologe jashtë Shqipërisë.
Vjero pohon se “Ne do të japim një informacion të tillë dhe nga ana tjetër, nga të gjitha administratat homologe do të marrim informacion lidhur me të gjitha llogaritë e rezidentëve shqiptarë në institucionet që ata kanë jashtë vendit. Më tej do të jetë administrata tatimore e cila do të hetojë, do të kërkojë më shumë informacion lidhur me këto llogari, të cilat nuk janë të deklaruara dhe aty ku do të ketë nevojë edhe do t’i taksojë.”
Zbatimi i ligjit në kulmin e pandemisë i ka vështirësuar punën sistemit bankar për të përmbushur këtë detyrim, por ka krijuar po ashtu edhe kosto shtesë për ta. Ndërsa ka shumë klientë që janë ende të paqartë për këtë ndryshim ligjor.
Koçi pohon se “Për momentin ka probleme sepse vjen në një kohë të vështirë ku e gjithë vëmendja është e përqendruar tek pandemia, tek masat financiare që ka marrë qeveria dhe ku bankat kanë një rol shumë të rëndësishëm. Nga ana tjetër kjo procedurë kërkon investime, jo shumë nga ana infrastrukturore, por kërkon fuqi punëtore me personel të dedikuar. Ky është një ligj i gjerë dhe kërkon procedura, standarde, zbatim rigoroz dhe për këtë kërkon staf të dedikuar që do të merret me këtë punë. Varet nga madhësia e bankës, por në shumë prej tyre ku ka disa njerëz që merren me këtë punë pa diskutim që krijon kosto”
Vetëdeklarimi bëhet në sportelet e bankave ose në platformat online, shërbim i cili po ofrohet për të shmangur radhët e gjata, veçanërisht me prezencën e Covid, ku duhen respektuar distancat fizike. Individët duhet të kenë parasysh të bëjnë deklarimin deri në datën 31 korrik pasi për tejkalim të afatit, ligji parashikon edhe sanksione.
Individët dhe bizneset do të vetëdeklarojnë me një formular të posaçëm vendbanimin e tyre dhe numrin tatimor. Këto të dhëna, bashkë me informacionet mbi llogaritë bankare, do të mund të përdoren nga autoritetet tatimore në 112 shtete, në kuadër të një nisme globale për të luftuar evazionin fiskal, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.
Ky proces vetëdeklarimi është një detyrim që rrjedh nga Ligji për Shkëmbimin Automatik të Informacionit mes vendeve europiane, i cili në Shqipëri hyri në fuqi në janar të këtij viti. Ligji synon të bëjë llogaritë bankare të hapura për institucionet tatimore dhe të luftojë problemin e evazionit fiskal në llogaritë offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit.
Nga pikëpamja e ligjit detyrohen të plotësojnë formularin jo rezidentët që jetojnë në Shqipëri, por duke qenë se ka shumë shtetas shqiptarë që kanë më shumë se një rezidencë tatimore, ku peshën më të madhe e mbajnë emigrantët, bankat në Shqipëri, kanë vendosur që të thërrasin për plotësimin e formularit të gjithë klientët me llogari.
Deri në maj të këtij viti, totali i depozitave në banka ishte rreth 8.5 miliardë euro, sipas Bankës së Shqipërisë, shumë që është e barabartë me 62% të prodhimit të brendshëm bruto.
Burimi: Monitor.al