Dielli gjatë gjithë kohës lëshon ndaj tokës një re pjesëzash të magnetizuara të njohura si erëra diellore. Shumicën e kohës fusha magnetike e planetit tonë e ndalon këtë erë elektrike që të shkaktojë dëme për tokën ose banorët e saj, duke i dërguar pjesëzat e rrezikshme drejt poleve të planetit, e duke lënë pas vetëm aureolat e tyre të pëlqyeshme.
Por nganjëherë, afërsisht një herë në çdo shekull, këto erëra përshkallëzohen në stuhi diellore ose evente madhore hapësinore që mund të jenë katastrofike për mënyrën tonë të jetesës.
Shkurtimisht një stuhi diellore mund të shkaktonte në tokë një “apokalips të internetit” duke lënë jashtë rrjetit pjesë të mëdha të shoqërisë, për javë apo muaj me radhë, siç shkruan në studimin e tij Sangeetha Abdu Jyothi, profesor i University of California, Irvine.
“Ajo që më bëri të mendoj për këtë është fakti se me pandeminë ne e pamë sa e papërgatitur bota ishte, ashtu siç nuk kemi protokolle apo infrastrukturë që të na përgatisë për një event solar të shkallës së madhe”.
Pjesë e problemit është se stuhitë diellore janë tepër të rralla dhe mundësia e një moti ekstrem hapësinor me pasoja për tokën është rreth 1.6% deri në 12% në një dekadë, thuhet në dokumentin e Abdu Jyothi.
Në historinë moderne janë regjistruar vetëm dy evente të tilla, një në vitin 1859 dhe një tjetër në 1921.
Incidenti më i hershëm, i njohur gjithashtu si Eventi Carrington , krijoi një trazirë gjeomagnetike aq të madhe në tokë sa që telat e telegrafit morën flakë, ndërsa aureolat qiellore që normalisht shihen vetëm pranë poleve, shiheshin edhe në Kolumbinë ekuatoriale.
Edhe stuhi më të vogla kanë treguar pasoja, siç ishte ajo e marsit 1989 që ndërpreu energjinë elektrike në rajonin kanadez të Quebec për nëntë orë.
Ndërsa tani civilizimi është bërë i varur nga interneti global dhe pasojat e këtyre stuhive janë të pastudiuaraa, shkruan Abdu Jyothi.
Lajmi i mirë është se lidhjet rajonale të internetit nuk rrezikojnë dëme të tilla pasi kabllot me fibra optike nuk ndikohen prej rrymave gjeomaghnetike, sipas studimit.
Por kjo nuk mund të thuhet për kabllot nëndetare që lidhin kontinentet.
Këto të fundit janë të pajisura me “përsëritësa” për të forcuar sinjalin optik, të cilët janë të ndjeshëm ndaj rrymave gjeomagnetike dhe dalin nga linja nëse dështon një prej tyre, shkruan Abdu Jyothi.
Nëse një prej përsëritësave nëndetarë dështon, kontinente të tëra mund të ndërpriten nga interneti. Kjo sipas studiuesve vlen më shumë për vendet në lartësi më të mëdha gjeografike si Britania e SHBA që janë më në veri.
Në këtë rast Abdu Jyothi sugjeron se ndërprerjet e mëdha të internetit mund të zgjasin disa javë ose disa muaj./Livescience.com