Është ende herët për ta ditur me siguri nëse koronavirusi i ri do të jetë sezonal. Për këtë do të duhej të shihnim se si ndryshojnë rastet nga njëri vend në tjetrin përgjatë vitit. E megjithatë, një tregues i rëndësishëm është përhapja e tij në klima të ndryshme rreth globit.
Ka disa prova se vatrat kryesore të virusit janë krijuar rreth rajoneve të freskëta e të thata. Një studim sugjeron se vendet e prekura me rëndë nga Covid-19, ato ku virusi u përhap pa u kuptuar mes njerëzve, deri në 10 mars, kishin temperatura mesatare më të ulëta se sa ato me më pak raste. Një tjetër hulumtim shqyrton 100 qytete kineze me mbi 40 raste me Covid-19 dhe sugjeron se sa më të larta temperaturat, aq me i ulët është niveli i transmetimit.
E megjithatë, e dhëna dekurajuese, që hedh dyshime mbi hipotezën se vera do të sjellë fundin e Covid-19, është se virusi është përhapur tashmë në çdo zonë klimatike, nga të ftohtat, te të ngrohtat e ato të lagështat.
Po a kanë qenë sezonale koronaviruset e tjerë? Një ekip studiuesish nga universiteti College i Londrës dhe Shkolla Londineze e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, mbajtën nën vëzhgim rreth 2 mijë persona, të cilëve ju kërkua të raportonin vazhdimisht nëse ndonjë nga familjarët e tyre kishte simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes.
Cilido që paraqiste shenja testohej për virus të mundshëm dhe në fund rezultoi se piku i rasteve ishte në dimër. Në verë u regjistruan vetëm pak të tilla. E megjithatë, dr. Michael Head, nga universiteti i Southampton, tha se zhvillimi dhe ndikimi i virusit të ri ndryshonte shumë nga koronaviruset e llojit të zakonshëm dhe mbetet për t’u parë nëse rastet do të bien si pasojë e ndryshimeve në ambient, si temperatura dhe lagështia.