Të bësh shkollën, por të të mos të njohin që e ke bërë. Është kjo situata e një studenteje e cila pasi ka përfunduar studimet Bachelor në Elbasn për Gazetari dhe Anglisht, si dhe Masterin Shkencor për mësuesi në anglisht në Tiranë, nuk futet dot në provimin e shtetit për të marrë licencën. Emisioni “Stop” iu drejtua Zyrës Vendore të Arsimit Elbasan dhe drejtoresha Anila Çota u shpreh se refuzimi ka ardhur nga praktikat e viteve të kaluara, ku QSHA ka përjashtuar nga provimi i shtetit, studentët me diplomë Bachelori Gazetari dhe Gjuhë Angleze.
“Detyra e ZVA Elbasan është që të marrë dokumentet, t’i përcjellë në drejtorinë rajonale dhe më pas ka filtra të tjerë për të ndjekur procedurën, qoftë për vijmin e praktikës, qoftë për regjistrimin për licencë. Refuzimi që i është bërë vajzës nuk vjen nga ZVA për arsye se ne detyrimet në bazë të kompetencave tona e kemi kryer, kemi informuar dhe vajzën. Nuk e ka pëfituar deri më tani sepse nga QSHA kemi një komunikim zyrtar nga vitet e kaluara të cilat e pengojnë atë për të vijuar tërë procesin, edhe për praktikën profesionale dhe për regjistrimin në licencë, për arsye se Bachelori i vajzës është Gazetari dhe Masteri mësuesi. Profesion, sipas kësaj logjike, ta jep diploma e Bachelorit dhe jo ajo e Masterit”, u shpreh Çota.
Ajo tha se vendimin e ka marrë QSHA dhe jo ZVA Elbasan. Në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, specialistja tha që vajza duhet të bëjë një tjetër cikël studimesh Bachelor.
Eksperti i arsimit, Albano Zhapaj, shpjegon se nuk ka asnjë shkelje nga fakultetet, pasi ato janë të miratuara nga Ministria. Problemi, sipas tij është te QSHA, e cila e njeh studentin, e matrikulon në hyrje dhe pasi diplomohet, e konsideron të parregullt.
“Ligji i profesioneve të rregulluara ka parashikuar që kush mbaron për mësuesi duhet që të ketë edhe Bachelorin të ngjashëm me Masterin. Këtu nuk kemi pangjashmëri, nuk kemi dy degë të kundërta. Këtu kemi një Bachelor me dy drejtime. Nuk mund të lësh një student, ta miratosh në hyrje dhe ta pranosh në Masterin e Mësuesisë dhe në dalje t’i thuash që jo nuk mund të bëhesh mësues. Është një absurditet, është një non sens është jo ligjore”, tha ai.
“Nuk mendoj se problemi është i ministrisë, por i QSHA sepse QSHA është vërtetë ministri. Aq më tepër që ka një drejtori juridike që duhet t informohet mirë për ligjet e arsimit të lartë në Shqipëri”, u shpreh eksperti