Sot heshtje zgjedhore! Pas 1 muaji fushatë, e përmbyllur një mbrëmje më parë, e shtuna shënon heshtje zgjedhore për të gjitha palët politike, që garojnë këtë 14 maj në 61 bashkitë e vendit.
Të dielën, votuesit shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryetarët e rinj të bashkive, si edhe përfaqësuesit në Këshilla Bashkiakë. Në këto zgjedhje vendore 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, ndërsa 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 61 bashki të vendit do të jenë të hapura 5.211 qendra votimi nga ora 07:00-20:00.
Rreth 140 kandidatë të subjekteve politike synojnë të marrin drejtimin e bashkive të vendit, por do të jenë qytetarët ata që me votën e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit e pushtetit vendor, si edhe Këshilltarët për Këshillat Bashkiakë. Këto zgjedhje opozita pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës.