Nga Alban Roçi ,Diplomat
Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian po shkon drejt realizimit të plotë të saj. Nuk është më utopi, as fasadë por një frymëzim i gjeneratës së kohës që po konkretizohet dita ditës.
Përpjekjet dhe anagazhimi i diplomacisë shqiptare në nivelet më të larta të përfaqësimit gjatë dekadës së fundit, lobimi i vazhdueshëm dhe promovimi i imazhit të Shqipërisë në format më efektive të mundshme, po marrin shpërblimin e merituar.
Shumë pak do ta mendonin se në harkun kohor të 3 viteve, 2022-2025, vendi ynë do të ishte pritës i disa prej evenimenteve zyrtare më të rëndësishme në nivel ndërkombëtar, që kanë një emërues të përbashkët: Bashkimin Evropian.
Në dhjetor të 2022 u mbajt në Tiranë, Samiti i 4-tërt, BE-Ballkani Perëndimor, me fokus avancimin e objektivave të agjendës strategjike të Këshillit Evropian.
Në tetor të vitit 2023, në Tiranë u zhvilluan Ministeriali i Ministrave të Jashtëm dhe Samiti i 10-të i Liderëve të Procesit të Berlinit, i njohur si iniciativë e BE (mbështetur fuqishëm në gjenezë nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel që në 2014), për integrimin e Ballkanit Perëndimor që për analogji dhe fatin tonë të mirë, ndodhi për herë të parë jashtë kufijve të BE. Ky Samit u shoqërua dhe me thyerjen e një tabuje për të kaluarën politiko-diplomatike të Shqipërisë: Vizita e parë zyrtare e një Presidenti francez në vendin tonë, Emannuel Macron.
Viti 2025, nën moton ‘New Europe in a New World’, e gjen Tiranën zyrtare dhe popullin shqiptar, më të afirmuar në ‘sytë e të huajve’, si dëshmitarë të një ngjarje akoma më të madhe në përmasa dhe rëndësi: Samiti i 6-të i Komunitetit Politik Evropian që në koncept është më i gjerë, si në numrin e vendeve pjesëmarrëse por dhe në peshën e komponentëve kyç si forcimi i sigurisë në nivel kontinetal e më gjerë, bashkëpunimi dhe dialogu. ‘For the record’ edhe ky i I-ri i këtij niveli, i zhvilluar në një vend të Ballkanit Perëndimor.
Pra BE, po guxon herë pas here të dalë nga nuanca e vet klasike, jashtë qarkut burokratik dhe për ‘nisje të reja’ apo një lloj hapje në mendësinë e të punuarit me shtetet anëtare dhe jo-anëtare, zgjedh pikërisht Shqipërinë si provëz besimi, në një formë më të moderuar të manifestimit të vizionit të saj.
Sot, plot 47 vende me prezencë ndër-kontinentale në kryeqytetin shqiptar! Krahas NATO dhe drejtuesve më të lartë të institucioneve të BE Ursula von der Leyen, Antonio Costa (Komisioni, Këshilli e me radhë), 27 vendeve anëtare të Unionit me Francën, Gjermaninë dhe Italinë në vijën e parë e më pas ato të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në Samit u bashkuan thuajse të gjithë kufijtë e Evropës, që nga Norvegjia dhe Islanda në veri, duke ftuar edhe shtetet përreth Detit të Zi, si Turqia, Ukraina, Moldavia, Armenia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani, si dhe duke vazhduar me zemrën e Evopës neutrale, si Zvicra, Monaco, Liechtenstein, Andora dhe San Marino, e duke e mbyllur me ‘qershinë mbi tortë’ e cila është Mbretëria e Bashkuar, ku rishtazi u zhvillua vizita e parë zyrtare e një drejtuesi shteti britanik Kryeministrit Keir Starmer në Shqipëri, për herë të parë në historinë 100 e pak vjeçare të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
BE po e dëshmon me prova konkrete dhe sinjale të qarta se e do Shqipërinë në ‘gjirin e saj’, se vendi ynë është kthyer në një pikë reference nga ku mund të përcillen mesazhe por edhe direktiva afatgjatë të Unionit. Literalisht, kur BE ‘zbret’ me gjithë kontigjentin e saj më të lartë, në vendin tënd, thuajse çdo vit, të konsideron pjesë integrale të vetën. Shpjegim tjetër logjik nuk ka.
Për një arsye apo një tjetër, BE po tregohet më pragmatiste, po vepron me shpejtësinë e nevojshmë që kërkojnë zhvillimet në arenën ndërkombëtare. Rëndësi ka që Shqipëria këtë ‘BE’ e kërkoi herë pas here, i ka kryer dhe po i kryen detyrat me përpikmëri dhe ishte gati, e gjeti të tillë dhe kur i trokiti rasti në derë. Vetëm fakti që BE organizon takime të niveli kaq të lartë për nga rëndësia, për kohën që po jetojmë, përkthehet me fjalë të thjeshta se jo vetëm gjeo-strategjikisht Shqipëria është më ‘in’ se kurrë por se integrimi në Unionin Evropian i një vendi që ‘dështoi me sukses’ për vite të tëra vetëm për ti hapur këto negociata, është më në fund një REALITET.
A do të ishte vërtetë anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në strukturën e BE, në interesin real të BE? Absolutisht që po. Unioni do të vendoste një pikë të rëndësishme në hartë, duke reduktuar ndikimin e influencave të huaja por dhe nxitur vendet e tjera të rajonit drejt aspiratës evropiane! Gjeo-strategjikisht, politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht, e qartë si ‘ditën për diell’, Shqipëria është në harmoni të plotë me linjën dhe perspektivën e BE.
Paralelisht, mesa u përmend më lart, që nga data 19 korrik 2022, kur u lançua hapja e negociatave me BE, pas realizimit edhe të procesit ‘screening’, procesi i negociatave është shoqëruar në mënyrë progresive me hapje kapitujsht që nga të drejtat e njeriut, drejtësia dhe funksionimi i institucioneve demokratike, te politika e jashtme dhe e sigurisë, tregu i brendshëm e me radhë, deri më tani 16 nga 35 dhe 4 Konferenca Ndërqeveritare. Më datë 22 maj 2025, në Bruksel do të mbahet Konferenca e 5-të Ndërqeveritare ku pritet të hapen dhe 8 kapituj të tjerë, duke e çuar numrin në 24 nga 35 dhe me këtë ritëm së shpejti pritet kompletohet hapja e plotë e të gjithë kapitujve. Faktet flasin dhe ky proces, në thelb nënkupton se BE e ka krijuar njëherë e mirë bindjen se anëtarësimi më të drejta të plota i Shqipërisë, është një portë e hapur në diplomacinë evropiane dhe se gdhëndja e emrit në ulësen e madhe është formalitet i së ardhmes së afërt.
Por a do të jetë sfidë më vete mbyllja e kapitujve dhe përafrimi i plotë i legjislacionit të BE, i njohur ndryshe si Acquis Communautaire brenda 2027, siç po deklarohet teknikisht nga vetë drejtuesit e BE dhe më pas aderimi i plotë brenda 2030? Kapacitetet janë. Investimet vazhdojnë. Përmirësimi është i arritshëm. Një vullnet i mirë, zgjidh dhe realizon gjithshka. Dhe te miqtë e Shqipërisë si Giorgia Meloni, duket se kjo nuk mungon.
Shqipëria në BE është një realitet i prekshëm. Duhet besuar, mbështetur dhe bërë çka është e mundur nga të gjithë, nga institucionet dhe shoqëria. Ky Samit i një rëndësie historike sjell të mira në ‘tavolinë’, me fokus agjendën ekonomike të vendit, insfrastrukutrën dhe energjinë, si dhe politika më të avancuara për rininë.
Me Shqipërinë në BE do të punohet, studiohet dhe jetohet lirisht në çdo vend anëtar të Unionit. Me Shqipërinë në BE, shqiptarët do të lëvizin pa kufij në këtë ‘familje’ dhe me kushtet më të mira ekonomike që sjell ky integrim, nuk do kthehen e jetojnë sa herë të duan e si të duan thjesht në vendin lindjes Shqipërinë, por do kthehen e jetojnë aty ku kanë përkitur gjithmonë, në Evropë. Sepse para së gjithash Shqipëria aty ka qenë e do të jetë gjithmonë! Në Evropë 🇪🇺