Kupa e Shqipërisë 2025/2026 hyn sot në një nga fazat më të rëndësishme dhe më emocionuese të saj, teksa Federata e Futbollit organizon hedhjen e shortit për turin çerekfinal. Ceremonia do të zhvillohet në orën 14:30, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, konkretisht në sallën e konferencave për shtyp, dhe do të jetë e hapur për mediat si dhe për përfaqësuesit e tetë klubeve të kualifikuara. Pas përfundimit të fazës 1/8 (turi i tretë), janë përcaktuar tetë skuadrat që vijojnë rrugëtimin drejt trofeut të edicionit të 75-të të Kupës së Shqipërisë.
Ashtu siç pritej, kjo fazë nuk prodhoi surpriza, pasi të gjitha ekipet pritëse siguruan kualifikimin, duke konfirmuar diferencat mes Superiores dhe kategorive të tjera. Egnatia, Vllaznia, Partizani, Dinamo, Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana janë tetë ekipet që kanë prerë biletën për në çerekfinale, duke e kthyer këtë fazë në një “mini-kampionat” të Superiores. Të gjitha ndeshjet e 1/8-ave u zhvilluan në të njëjtën ditë, duke dhuruar emocione, rivalitet dhe përballje të forta. Dinamo dhe Partizani siguruan pa vështirësi kalimin më tej, duke fituar të dyja me shifrat e pastra 3-0.
Dinamovitët triumfuan ndaj Besës, ndërsa të kuqtë mposhtën Burrelin, duke konfirmuar objektivat e tyre të qarta në këtë kompeticion. Ndërkohë, më shumë emocione dhuruan sfidat Tirana– Skënderbeu dhe Bylis–Laçi, të cilat u vendosën vetëm pas kohës shtesë. Bardheblutë e Tiranës fituan 2-1, ndërsa Bylisi, pas një ndeshjeje të luftuar deri në fund, triumfoi 3-2 falë një goli vendimtar në shtesë. Egnatia vijoi marshimin e qetë duke mposhtur Apoloninë 1- 0, me të njëjtin rezultat fitoi edhe Vllaznia ndaj Pogradecit, ndërsa Teuta tregoi superioritet ndaj Vorës, duke triumfuar 2-0.
Sfida më dramatike e kësaj faze ishte ajo mes Elbasanit dhe Flamurtarit, ku verdheblutë u kualifikuan vetëm në kohën shtesë, duke fituar 2-1 pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt. Në bazë të rregullores së aktivitetit, tetë skuadrat janë ndarë në dy vazo për shortin e çerekfinaleve. Në Vazon 1 bëjnë pjesë Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo, ndërsa në Vazon 2 janë pozicionuar Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana. Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë, ku ekipet e Vazos 1 do të përballen me ato të Vazos 2.
Ndryshe nga raundet e mëparshme, faza çerekfinale do të zhvillohet me sistem vajtje-ardhje. Ndeshjet e para janë planifikuar të luhen më 11 shkurt, në fushën e skuadrave të Vazos 2, ndërsa takimet e kthimit do të zhvillohen më 4 mars. Ky format pritet të rrisë ndjeshëm intensitetin dhe strategjinë, pasi çdo detaj mund të bëjë diferencën. Interesi shtohet edhe më shumë nga mundësia e përballjeve “zjarr”, përfshirë edhe një derbi të kryeqytetit, pasi Tirana mund të përballet me Partizanin ose Dinamon. Me tetë skuadra të Superiores në garë, Kupa e Shqipërisë hyn tashmë në fazën më të nxehtë, aty ku gabimet nuk falen dhe çdo 90- minutësh është një hap më pranë trofeut.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.