Shkarkimi i zv.ministrit Roland Kristo ngjall reagime të forta: denoncime nga gazetari njohur dhe Gjergj Luca

Shkarkimi i zëvendësministrit të Bujqësisë, Roland Kristo, një nga ekspertët më të njohur të peshkimit në vend dhe me reputacion ndërkombëtar, ka shkaktuar reagime të menjëhershme në opinionin publik.

Gazetari Bledi Mane e ka cilësuar largimin e Kristos si “skandal” dhe “flakje të padrejtë të një profesionisti”, duke theksuar se ai ka shërbyer për 22 vite në industrinë e peshkimit dhe ka mbajtur për 8 vite postin e kryetarit të Komisionit të Peshkimit në Mesdhe. Mane akuzoi ministrinë se po largon profesionistët vetëm pse nuk pranojnë “të kthehen në militantë partiakë”.

Edhe sipërmarrësi Gjergj Luca ka reaguar ashpër, duke denoncuar publikisht, sipas tij, “zhvlerësimin e njerëzve të kualifikuar” nga institucionet. Luca kujtoi se Roland Kristo është vlerësuar kohët e fundit nga autoritete të larta ndërkombëtare, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë së Spanjës, ndërsa shkarkimi i tij përbën “humbje të madhe ekspertize për sektorin e peshkimit”.

Në vendin e Kristos pritet të emërohet Eraldo Xhani, ish-funksionar politik në qarkun e Elbasanit, lëvizje që ka shtuar edhe më tepër debatet mbi mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve në administratë.