Numri i pacientëve me COVID-19 që po marrin trajtim tek “Shefqet Ndroqi” është rritur duke shënuar 193, ku 13 janë në terapi intensive dhe 4 të intubuar. 153 persona janë prekur me COVID gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 10255 numrin total. Lajmi i mire është se 130 persona janë shëruar, duke e çuar në total numrin në 6106, ndërsa raste aktive janë 3833.
Sipas Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 847 testime, ku përfshihen edhe testime të kryera në laboratorët jo publike. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditën e sotme është: 61 raste në Tiranë, 20 në Korçë, 12 në Durrës, 11 në Shkodër, 9 në Vlorë, 8 në Elbasan, nga 6 raste Lezhë, Mirditë, nga 3 raste Kavajë, Malësi e Madhe, nga 2 raste Kurbin, Tropojë, Mat, Maliq, nga 1 rast Krujë, Fier, Has, Berat, Përmet, Kuçovë.
Gjithashtu në dy spitalet COVID janë duke marrë shërbim të specializuar 12 qytetarë, 5 me pak se ditën e djeshme (17), të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19, por vijojnë të marrin trajtim spitalor nga pasojat e sëmundjes. Katër personat që ndërruan jetë ditën e sotme janë një 64 vjeçar nga Durrësi, dhe 3 qytetarë nga Tirana: një 81 vjeçar, një 85 vjeçare dhe një 87 vjeçar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, duke theksuar se rikthimi i nxënësve në shkolla dhe i punonjësve në punë me kapacitet të plotë e rrit rrezikun e përhapjes së infeksionit.
“Prandaj i drejtohemi qytetarëve dhe bizneseve të kenë më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes apo për çdo informacion tjetër rreth Covid19”, shkruan Ministria e Shëndetësisë.