SHBA-BE “kryqëzojnë” Ramën, “pasaporta e artë” është azil për kŗiminelët dhe të korruptuarit që pastrojnë para

Qeveria shqiptare i dha tre ditë më parë dritën jeshile një kontrate koncesionare për programin e shtetësisë për investim një projekt që konsiston në shitjen e pasaportës shqiptare për shtetasit e huaj, por edhe të pasur që duan të investojnë në Shqipëri. Projekti “pasaporta e artë” u kundërshtua ashpër nga Bashkimi Evropian, të cilët theksojnë se skema bie në kundërshtim me vlerat europiane, pasi rrezikon të shkaktojë probleme të sigurisë dhe mund të ndikojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen.

Delegacioni e paralajmëron qeverinë shqiptare se projekti i saj bie ndesh me ligjet e BE-së, ndërkohë që vendi pas hapjes së negociatave duhet të punojë për përafrimin e legjislacionit me atë të Unionit. Ky projekt është një rrezik për Shqipërinë dhe për Unionin, thekson delegacioni.“Komisioni ka ndërmarrë masa të forta kundër skemave të shtetësisë për investitorët brenda dhe jashtë BE-së. Komisioni i konsideron këto skema në kundërshtim me ligjet e BE-së, pasi ato shkelin parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe konceptin e shtetësisë së BE-së”, thotë delegacioni. Ndërkohë, rreziqet që përmend delegacioni kanë të bëjnë me faktin që përmes një skeme të tillë, mund të sjellë në Shqipëri njerëz të kŗimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta.

Gjithashtu delegacioni nënvizon se aplikimi i këtyre skemave nga vendet e treta me qasje pa viza në Bashkimin Evropian e shqetësojnë Unionin. “Mund të përdoren për të anashkaluar procedurën e rregullt të vizave për qëndrim të shkurtër të BE-së dhe vlerësimin e thelluar të rreziqeve individuale migratore dhe të sigurisë që kjo sjell”, thotë delegacioni.

Dhoma Amerikane e Tregtisë kundërshton idenë e Ramës

Në të njëjtën linjë me BE-në ka qenë edhe SHBA. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço ka kundërshtuar idenë e Ramës për të shitur pasaportën shqiptare për thithjen e investitorëve të huaj në Shqipëri. Ndërsa i jep zë thirrjes paralajmëruese të Unionit, Jaço thekson se prioritet për qeverinë duhet të jetë hapja e negociatave dhe plotësimi i kritereve të vendosura nga BE, jo devijimi nga legjislacioni evropian. “Prioriteti i Shqipërisë pas hapjes së negociatave duhet të jetë përshpejtimi i kursit të anëtarësimit.

Potenciali për t’u përshtatur me tregun ekonomik evropian përfaqëson përfitime madhore për Shqipërinë. Dhe mënyra më e mirë për të nisur procesin e plotësimit të kritereve është përshtatja e legjislacionit shqiptar me atë të BE dhe jo devijimi prej tij”, thekson Enio Jaço. Shqipëria është vendi i tretë i Ballkanit pas Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që po bëhet gati të aplikojë pasaporta përmes investimit, megjithatë zbatimi i këtyre programeve në shtete të tjera ka treguar se sfidat e sigurisë janë të mëdha.

Sipas ekspertëve, përfitimet në raport me kostot që mund të shkaktojë ky projekt në procesin e integrimit me BE, janë minimale. Risqet potenciale kanë të bëjnë së pari me sigurinë kombëtare dhe pastaj me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Kështu, pyetja që shtrohet është: sa të afta janë institucionet shqiptare që të bëjnë filtrimin e kontigjenteve kŗiminalë ndërkombëtar që do të duan të vijnë në Shqipëri?!