Parashikohet rënia e temperaturave në të gjithë vendin dhe reshjet e dëborës do përfshijnë vendet malore.
Këtë parashikim e ka bërë meteorologia Lajda Porja nga Metoalb. Ajo shprehet se territori do të përfshihet nga një masë e ftohtë me origjinë polare, një masë të cilën e shohim prezente vetëm në muajt e dimrit.
Lajda Porja: Mëngjesi ka nisur me vranësira jo vetëm në Tiranë, por në një pjesë të mirë të Shqipërisë, madje në zonat veri-perëndimore kanë nisur që në orët e para të mëngjesit reshjet. Parashikohet që orët vijuese të mbeten në ndikimin e vranësirave, do të kete edhe zhvillim të tyre ku zona veriore si dhe pjesa më e madhe e zonës jugore do të përjetojë rrebeshe shiu, ndërkohë në zonat e qendrës do të kenë reshje po në sasi më të pakta.
Megjithatë situata mbetet e paqëndrueshme pothuajse gjatë gjithë ditës. Përsa i përket vlerave termike ka vijuar mëngjesi relativisht i ngrohtë ku ende temperaturat janë në vlerën 5 gradë më e ulëta në Peshkopi, ndërkohë maksimalet do të ngjiten në 16 gradë. Ndonjë zonë e izoluar edhe 17 gradë. Duke filluar sonte në mbrëmje, do të kemi depërtim të një mase të ftohtë me origjinë polare e cila në fakt është një masë jo e zakonshme për stinën e pranverës. Zakonisht këto masa të ftohta ne i shikojmë në dimër. Do të sjellë rënie të temperaturave dhe rikthim të reshjeve të dëborës në zonat malore.
Megjithëse reshjet do të jenë prezente në verilindje dhe juglindje, nuk është se do të jenë në sasi të dendura duke krijuar probleme në akset rrugore. Temperaturat do të jenë të ulëta -1, -2 gradë dhe maksimalet do të ngjiten jo më shumë se 12 gradë. Duke qenë se vranësirat do të jenë prezente, do të ketë mungesë të rrezatimit diellor. Përsa i përket erës nuk do të jetë shumë e fortë, por do të jetë një erë e ftohtë nga verilindja, duke bërë që të paktën mëngjesi herët dhe mbrëmja të ndihet akoma më e ftohtë.
Top Channel