Qeveria shqiptare ka marrë vendim që të gjitha ndërtesat që kanë shkelur lejet e ndërtimit, pra kanë bërë ndërtim ose shtesa pa leje, do të konfiskohen dhe do t’i jepen qytetarëve që janë prekur nga shpronësimet publike.
Lajmin e bëri të ditur Zv.Kryeministrja Belinda Balluku sot pas mbledhjes së Qeverisë, duke u dërguar sidomos ndërtuesve këtë mesazh:”Nuk do të ketë tolerancë për asnjë nga ndërtuesit që kanë shkelur lejet apo kanë ndërtuar pa leje dhe gjithçka që është ndërtuar pa leje do të kalojë në përfitim të popullit.”
Balluku njoftoi se “në aktet e shumta që janë miratuar sot në Këshillin e Ministrave, vlen që të bëhet publik dhe të përmendet një akt i rëndësishëm, VKM-ja e titulluar “Për rregullat dhe procedurat e konfiskimit për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim, fitimin”.
Ky akt, për të cilin në ditët e vazhdim do të ketë edhe komunikime të tjera publike, ka të bëjë me të gjitha ato ndërtesa pa leje në Republikën e Shqipërisë ose siç ka një trend kohët e fundit, për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga bashkitë apo KKT. Kjo kohë ka mbaruar.
Ky lloj trendi, fatkeqësisht shumë i zhvilluar kohët e fundit, ka një lloj sjelljeje, që pavarësisht se leja mund të jetë për 7 kate, i bëhen dhe tre kate më sipër për t’i legalizuar më pas.
Kjo nuk do të ndodh më! – theksoi Zv.Kryeministrja. – Dhe për më tepër, të gjitha ndërtesat që kanë këtë lloj specifike, do të konfiskohen për përdorim publik, do t’i jepen si kompensim atyre qytetarëve që preken nga projektet publike ose do të përdoren si fonde për të shpronësuar të gjithë qytetarët që sërish preken nga projektet publike.
Ky proces është i gjatë dhe i bazuar në ligj; ka për qëllim dekurajimin e të gjithë kompanive ndërtuese që të shkelin ligjin edhe duke qenë nën mbikqyrjen e institucioneve tona.
Për çdo ndërtesë e cila tashmë rezulton që ka shkelur lejen apo për çdo ndërtesë të ndërtuar pa leje në territorin e Republikës së Shqipërisë do të ketë edhe një investigim për të gjitha ato institucione që kanë si detyrë kontrollin e territorit dhe kjo gjë ka ndodhur nën hundën e tyre, pasi ne vërtet identifikojmë se ka një tolerancë edhe nga vetë institucionet për t’i lënë këto kompani në abuzim ndërkohë që ndodh që një qytetar që rregullon çatinë apo ndryshon pllakat e oborrit, menjëherë vihet nën mbikëqyrjen e Policisë apo të IKMT apo të institucioneve të tjera.
Nuk do të ketë tolerancë për asnjë nga ndërtuesit që kanë shkelur lejet apo kanë ndërtuar pa leje dhe gjithçka që është ndërtuar pa leje do të kalojë në përfitim të popullit,”-paralajmëroi Belinda Balluku.