Pse u regjistrua në zgjedhje pa dalë ende vendimi për PD-në? Ja si përgjigjet Meta

Edhe pse Partia e Lirisë u regjistrua ditën e djeshme për zgjedhjet lokale të 14 majit, Ilir Meta thotë se nuk ka asnjë skenar që do ta ndalojë opozitën që të jetë fituese.

Teksa po i drejtohej protestës së thirrur nga Sali Berisha para godinës së Kryeministrisë, Meta, foli në lidhje me vendimin që Apeli do të marrë për vulën e PD-së dhe u shpreh se sot do të shihet nëse ka ende shpresë ndaj regjimit të kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike janë më të bashkuara se kurrë.

“Nuk ka asnjë skenar që ndalon opozitën e bashkuar që të fitojë zgjedhjet e 14 majit. Sot nuk vendoset për këtë çështje, sot do të kemi mundësinë të shohim nëse ka mbetur ende shpresë që mund të merren vendime në përputhje me Kushtetutën edhe ligjin, ose do të kemi një delegjitimim total të regjimit të Edi Ramës.

Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike janë më të bashkuara se kurrë dhe i ftojnë të gjithë ata që duan të jenë kundër regjimit, të bashkohen në këtë mision për të çmontuar këtë bandë nga pushteti”, theksoi ai.