Prrenjas/Zjarri shkrumbon një masiv pyjor në fshatin Bardhaj të Rrajcës, digjen edhe dy shtëpi të vjetra

Nga Fatmir Popja

Vatra të shumta zjarri janë shfaqur gjatë kësaj fundjave në territorin e Bashkisë Prrenjas. Vetëm gjatë të Shtunës dhe të Dielës janë evidentuar gjashtë vatra zjarri në zona të ndryshme të fshatrave të Njësisë Administrative Qukës dhe Njësisë Administrative Rrajcë. Ndër to, ajo e shfaqur gjatë mesditës së Dielë në fshatin Bardhaj në Njësinë Administrative Rrajcë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.


Burime jo zyrtare konfirmuan se nga zjarri i rënë në fshatin Bardhaj , jo shumë larg Parkut Kombëtar të Shebenikut u dogj një masiv pyjor, një parcelë me shkurre dhe dy shtëpi të vjetra. Megjithë ndërhyrjen mjaft të shpejtë të punonjësve të shërbimit zjarrfikës të Prrenjasit, terreni i vështirë u bë pengesë për futjen e automjeteve për izolimin dhe shuarjen e flakëve të favorizuara edhe nga mbizotërimi i erës së fortë dhe temperaturës së lartë.
Si pasojë e përhapjes së flakëve në një sipërfaqe të madhe u shkaktuan mjaft dëme .Fillimisht zjarri ishte shfaqur në vendin e quajtur “Lagja e Vaskut” 25 km larg qendrës së qytetit të Prrenjasit ,
në skajin verior të fshatit Bardhaj ku nuk mund të futet asnjë lloj automjeti.
Më pas flakët kanë përfshirë një kodër me barë të thatë,dëllinja dhe pemë frutore si edhe një masiv pyjor.


Si rezultat i terrenit me bimësi të ulët dhe barë të thatë për shkak të erës flakët janë përhapur me shpejtesi dhe kanë djegur dy shtëpi të vjetra të pabanuara dhe janë rrezikuar disa të tjera. Ndërkohë rritja e temperaturës me kalimin e kohës shoqëruar nga rritja e shpejtësisë së erës bëri që në disa raste flakët e zjarrit të dilnin nga kontrollit duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të MZSH.
Forcat e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Prrenjas janë prej shumë orësh në terren duke luftuar me flakët në kushte ekstreme që flakët e zjarrit në fshatin Bardhaj të mos përparojnë drejt masivit pyjor të ahut në Rrajcë që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-S.
Mungesa e Hidranteve në të gjitha rrugët që shkojnë drejt masiveve pyjore të Rrethit të Librazhdit ku mund të furnizohen me ujë makinat zjarrfikëse po frenon ritmet e punës së shërbimeve të mbrojtjes nga zjarri.
Gjithsesi falë sakrificave të punonjësve të këtij shërbimi gjatë 76 rasteve të konstatimit të rënies së zjarreve dhe rasteve të tjera të emergjencës është bërë një punë e jashtëzakonshme.

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin Prrenjas apelon për parandalimin e zjarreve dhe evitimin e dëmeve që shkaktojnë në pyje-kullota.