Protagonisti i javës te Elbasani-Partizani, gjyqtari Lata dhe asistenti i tij caktohen nga UEFA në ndeshjen e Anglisë

Gjyqtari Florian Lata është bërë në mënyrë indirekte protagonist i kësaj fundjave futbollistike në vendin tonë, teksa ishte në qendër të polemikave për duelin mes Elbasanit dhe Partizanit.

Verdheblutë pretendojnë se në fund ai ka marrë vendime të gabuara kundër tyre teksa u ka mohuar një gol dhe një penallti në shtesën e takimit, që mund t’u sillnin tre pikë verdhebluve.

Lata do të mungojë në fundjavën tjetër në Superiore, jo për shkak të ndonjë mase që është marrë ndaj, por sepse është caktuar të drejtojë në një nga miniturnetë e UEFA-s për kombëtaret U17 bashkë me asistentin Gerald Cenolli i cili ishte gjithashtu i pranishëm në takimin e kësaj fundjave.

Nga data 24 tetor, deri më datë 30 tetor, Lata dhe Cenolli do të jenë në Maltë për ndeshjet kualifikuese të Europianit U17 të Grupit 1, ku bëjnë pjesë Anglia, Letonia, Malta dhe Suedia. Lata do të jetë në detyrë që në ndeshjen e parë të grupit, duke drejtuar atë mes Anglisë dhe Maltës.