Prindërit u divorcuan pas zhdukjes së saj, gazetarja tregon si nëna e Bleona Matës nuk i humbi kurrë shpresat ndërsa babai..

Zhdukja pa gjurmë e Bleona Matës në Maj të vitit 2010 kur ishte vetëm 6 vjeç u shndërrua në një nga ngjarjet tronditëse dhe më të komplikuara të zhdukjes së një fëmije në Shqipëri. Gjithçka nisi pasditen e 22 Majit në fshatin Zapod të Kukësit kur Bleona Mata kishte dalë në kullotë në një terren të vështirë. Atë pasdite Bleona nuk ka qenë vetëm, por e shoqëruar nga 5 vajza të cilat ishin të afërme të saj. Sipas dëshmitareve të cilat ishin me Bleonën atë ditë, 6-vjeçarja ishte shprehur se do të ngjitej në kullotë ku ishte halla e saj.

Bleona ka mbërritur në kullotë, atje është pritur dhe është ushqyer nga halla e saj, Alketa. Sipas dëshmive, kjo e fundit është shkëputur e para nga grupi i vajzave dhe ka hyrë në thellësi të pyllit për të marrë bagëtitë nga kullota. Të njëjtën gjë kanë bërë më pas edhe vajzat e tjera duke lënë vetëm Bleonën e vogël. Fati Bleona Matës e zhdukur pa lënë gjurmë që prej 2010-ës vazhdon të mbetet ende mister. Koha e gjatë që ka kaluar duket se e bën edhe më të vështirë zbardhjen e këtij krimi.

Të shumta kanë qenë pistat e hetimit të ngritura në vazhdimësi përgjatë këtyre viteve. Dëshimia kryesore të çon në rrëmbimin e kësaj vajze, ndoshta për ta çuar fillimisht në Maqedoni, që është edhe pika më e afërt kufitare. Nëna e Bleona Matës, Bukurie Veizi nuk ka ndalur në asnjë moment kërkimet për vajzën e saj duke bërë publike vazhdimisht detaje të reja lidhur me vendin se ku mund të ndodhet Bleona me shpresën se një ditë do ta takojë vajzën e saj. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për babain e saj, Zamir Mata, i cili jeton aktualisht në Itali dhe jo vetëm që nuk është i interesuar për rrëmbimin e vajzës së tij, por ka shkëputur lidhjet edhe me familjarët.

Një ngjarje e komplikuar dhe tronditëse për të cilën ende sot nuk janë zbuluar gjurmë konkrete apo fizike duke e bërë një nga rastet më të vështira. Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj dhe gazetarja Odeta Dume ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për rastin e Bleona Matës dhe identikitin e ri që FBI ka krijuar.