Qarkullimi prej pikëkalimit të Kakavijes ka qenë minimal përgjatë ditës së sotme.
Që prej orës 9 të mëngjesit e deri në orën 18 të mbrëmjes pala greke njoftoi se do të ishte duke instaluar sistemin e ri të menaxhimit të të dhënave dhe për këtë nuk u lejua hyrja në Greqi e shtetasve me pasaporta shqiptare.
Prej mungesës së marrjes së këtij njoftimi pati disa qytetarë që u kthyen pas ose po qëndrojnë në pritje të çeljes së pikës së Kakavijës.
Vetëm shtetasit me pasaporta europiane dhe ata që kanë një leje zyrtare qëndrimi në shtetin grek u lejuan të kalojnë.
Rreth mesditës pala greke toleroi edhe hyrjet në Shqipëri të qytetarëve shqiptarë që vijnë nga Greqia me mjete shqiptare.
Autobusët e transportit të udhëtarëve u përpunuan këtë mëngjes para orës 9, që ishte përcaktuar si orar për ndërhyrjet në sistem.
Deri tani pala greke nuk ka njoftuar ndonjë shtyrje të afatit të paravendosur për instalimin e sistemit SIS. Nëse procesi do të përfundojë sot lëvizja normale pritet të rifillojë prej orës 18 të mbrëmjes.
Top Channel