Partia Demokratike ka zyrtarizuar kandidatin e saj për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit në Bashkinë e Cërrikut.
Kandidati i opozitës do të jetë mjeku Amarildo Hoxha, 42 vjeç, nga shoqëria civile, i cili prej vitesh ushtron detyrën e mjekut të familjes në Njësinë Administrative Klos të Bashkisë Cërrik. Hoxha gëzon reputacion të mirë në komunitet dhe vlerësohet për kontributin e tij në shërbimin shëndetësor lokal.
Në krahun tjetër, Partia Socialiste ka zyrtarizuar një natë më parë kandidaturën e Florenc Dokës, aktualisht kryetar i komanduar i Bashkisë Cërrik, si përfaqësuesin e saj në këto zgjedhje.
Ndërkohë, nisma “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj ka shpallur si kandidat për Bashkinë e Cërrikut Eligert Himën, të diplomuar në fushën e Kriminologjisë në Milano.
Bashkia e Cërrikut numëron rreth 38 mijë votues të regjistruar, por në zgjedhjet vendore të vitit 2023 morën pjesë vetëm 12 mijë qytetarë në 58 qendra votimi. Kjo bashki shkon drejt zgjedhjeve të pjesshme pas emërimit të ish-kryebashkiakut Andis Salla në postin e Ministrit të Bujqësisë.