Pas 55 vitesh hapet Xhamia e Hasan Balliut në Elbasan.

Pas 55 vjetësh, që nga prishja e xhamisë së Ballies, rreth 4000 besimtarë nga Elbasani por jo vetëm kanë kryer riten e faljes në ditën e shenjtë atë të Kurban Bajramit. E lartësuar si një fisnike, në vendin e saj shumë shekullor, kjo xhami edhe një herë tregoi respektin dhe qytetarin e një qyteti të lashtë sa vetë Ballija, raporton elbasaniplus

E ndërtuar në shekullin e 17-të, (17 prill 1608 deri më 6 prill 1609) Xhamia Balizade apo e Ballies ka qenë një nga xhamitë më të rëndësishme në Shqipëri, dhe e vetmja ne qytet, e cila është e datuar me anën e një mbishkrimi nga dijetari i periudhes Osmane Celebi. Ajo ndodhej në skajin lindor të Uzun Çarshisë së vjetër, përballë me Kullën e Sahatit.

Në vitet e para te regjimit komunist, hapësira përreth saj, u transformua në një park që lidhej me parkun e ri përpara kalasë, duke dëmtuar kësisoj rëndë pëlhurën urbane tradicionale. Në ‘vitin e zi’ 1967, ajo u shemb në mënyrë mizore thuajse krejtësisht. Copëza të saj ekzistonin akoma si gërmadhë në oborrin e pasmë të një mapoje industriale.

Xhamia e Ballies konsiderohet një nga dëmet më të mëdha tw shkaktuar jo vetëm arkitekturës islame, por vlerave të trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

Nën kujdesin e Myftinisë Elbasan, projektuar nga commonsense studio, ndërtesa e re e Xhamisë së Ballies, 5 dekada pas prishjes së xhamisë së vjetër, është projektuar mbi parimin se xhamitë dhe vendet përreth tyre janë konsideruar vazhdimisht si burim qytetërimi kudo në botë. Në projektimin e tyre janë aplikuar risitë më të fundit si në përqasjet artistike ashtu edhe në aplikimet e teknologjisë së ndërtimit. Ato shihen si hapësira frymëzuese për zhvillimin e artit dhe kulturës në një shoqëri.

Duke mbajtur një qendrim të respektueshem, projekti i ri nuk synon të kopjojë projektin e vjetër. Këndveshtrimi artistik, teknikat e ndërtimit bashkëkohor dhe përgjegjësia e frymezimit për kohën e ardhme mbartin përgjegjësinë e një interpretimi origjinal, por të kujdesshëm ndaj rolit të saj për besimtarët ashtu edhe për qytetin.

Koncepti i projektit arkitektonik mbështetet në krijimin e përjetimit të marredhënies Njeri-Krijues. Prania e qene por kontrolluar midis hapësires brenda dhe jashtë, hyrja e dritës, por mungesa e drejtëpërdrejtë e burimit, qënësia e ndjesisë së kohës, ftesa në përbrendshmëri janë disa nga aspektet e qasjes në kompozimin e hapësirave te xhamisë. 

Nëpërmjet përdorimit të gjeometrisë, si një mjet i pashtershëm në artin dhe arkitekturën islame, elementët kryesore si fasada, kupola apo minaretë, vijnë në nje mënyrë tëresisht autentike në këtë xhami. Përzgjedhja e materialeve është bërë për të krijuar ndjesinë e të përkohshmes, për të ftuar njeriun në nje kujtesë te pashtershme në raport me kohën dhe me Krijuesin. Si të tillë janë menduar: përdorimi i veshjes së mermerit në fasadë, i cili mbetet i palodhur ne kohë; mbulimi i kupolës me bakër, të cilin koha e sjell në trajta akoma më dinjitoze në kalimin e viteve; apo veshja e drurit në pjesën e brendeshme, e cila në bashkëpunim me ndriçimin natyror mundëson një atmosferë më pranë shpirtërores dhe hyjnores.

E shtrirë në një kat nëntokë, kati përdhe dhe dy meskate, sipërfaqja totale e ndërtimit e xhamisë është 1776 m2. Rreth 830m2 është sipërfaqja e dedikuar për falje. Rreth 1700 besimtarë mund të falen njëkohësisht në të gjithë hapësirat e brendshme në xhami. Bashkë me sheshin përpara saj, numri i besimtarëve arrin deri në 4600 vetë.

Sheshi përpara xhamisë është konceptuar të shërbejë si një hapësirë urbane e cila merr trajta të ndryshme përdorimi në sherbim të qytetit, një hapësirë për një identitet ndërkulturor.