Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, ambasadën franceze, Kuvendin e Shqipërisë, Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, zhvilluan seminarin me temë “Lufta kundër gjuhës së urrejtjes”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të 70-vjetorit të Këshillit të Evropës.
Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof. dr. Skender Topi, vlerësoi seminarin ndërkohë që theksoi se tematika mbi gjuhën e urrejtjes është një tematikë koherente.
“Unë kam nderin të jem sot para jush në cilësinë e drejtuesit të një prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit të lartë në Shqipëri, i cili është jo vetëm një institucion edukimi, por mbi të gjitha një institucion vlerash. E them këtë me bindje të plotë, pasi Universiteti i Elbasanit prej vitesh ka kontribuar në kultivimin e vlerave të paqes, tolerancës dhe gjithë pranimit”, u shpreh ndër të tjera prof. Topi.
Më tej ai u ka kërkuar studentëve që të distancohen nga çdo formë e gjuhës së urrejtjes dhe të bëhen promotorë të ndryshimeve duke konstatuar, denoncuar e ndihmuar në evidentimin e rasteve të tilla.
Drejtuesja e Zyrës së KE-së në Tiranë Jutta Gutzou u shpreh se aktiviteti i organizuar në Universitetin e Elbasanit ka dy qëllime. Nga njëra anë lançon projektin kundër diskriminimit dhe në anën tjetër përkon me përvjetorin e Këshillit të Evropës. “Këshilli i Evropës është organizata politike më e vjetër në kontinentin tonë, ajo është një organizatë gjithëpërfshirëse. Si pjesë e Këshillit të Evropës, Shqipëria kontribuon në përcaktimin e standardeve”, deklaroi zj. Gutzou.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak, u shpreh se “jam këtu për t’u thënë që të gjithë të veproni për zhvillimin e kësaj vigjilence demokratike në të gjitha pikëpamjet”.
Lidhur me legjislacionin shqiptar për këtë temë folën Avokatja e Popullit znj. Erinda Ballanca dhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi.
Takimi u përmbyll me një diskutim të lirë mes studentëve pjesëmarrës dhe panelit.