Është e vështirë ti japësh lamtumirën doktoresh Zylit. Për 50 vite nuk kurseu asnjë moment që të ishte pranë pacientëve por dhe kolegëve të saj në spitalin e Shkodrës. Edhe në këtë kohë pandemie, doktoresh Zyli, siç e njohin të gjithë në Shkodër, (Zyliha Kraja) nuk pranoi të qëndronte në shtëpi edhe pse kishte dalë në pension. Çdo ditë shkonte në spital për ti ardhur në ndihmë pacientëve të saj.
Mjekët e Shkodrës kanë bërë mesazhe prekëse për kolegen e tyre, që humbi jetën një ditë më parë, pasi nuk mund të fitojë betejën me koronavirusin.
Përmes një deklarate nga Spitali i Shkodrës në emër të të gjithë mjekëve, mjeku Shpëtim Ymeri është shprehur se pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha për gati 1 muaj, nuk ka qenë e mundur që kirurgia Kraja të shpëtonte.
“Mendoja dhe besoj se do të shtrëngoja dorën siç bëja gjatë këtyre ditëve që ishe e shtruar në spital, të thosha ia hodhe mikja ime dhe të vazhdonim sërish punën. Jeta është e tillë. Ne nuk mundëm të të shpëtonim pavarësisht përpjekjeve tona maksimale prej rreth një muaj. Është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët”, ka thënë mjeku Ymeri.
Zyliha Kraja u nda nga jeta ditën e premte në moshën 80-vjeçare, pasi humbi “luftën” me koronavirusin. Përpara se të infektohej me COVID-19 gjendja e saj shëndetësore ishte e mire. Por ditët e fundit gjendja u përkeqësua.
Zyliha Kraja ishte një kirurge e shkollës së vjetër në Shkodër, e cila për vite me radhë ka kontribuar në fushën e mjekësisë dhe nga duart e saj mësuan një numër i konsiderueshëm mjekësh e infermierësh./Fjala.al