Njihuni me Fermën e Gomaricave në Elbasan; Kush është gazetari që po bën atë që s’e ka bërë asnjë më parë

Në prill të 2018-s filloi të zbatohej në praktikë një dëshirë e hershme e Elton Kikisë, një të riu nga fshati Papër në Elbasan, për të krijuar një fermë të vogël në pronat që zotëronte familja e tij. Prej 20 vitesh, ai dhe prindërit e tij ishin larguar nga fshati dhe ishin vendosur në Tiranë. Pasi përfundoi studimet për gazetari, Eltoni filloi të punonte në profesionin që aq shumë e dashuron, por duke e ndarë pasionin për gazetarinë me pasionin për natyrën.

“Koha ime ndahej midis gazetarisë dhe malit, gazetarisë dhe detit, gazetarisë dhe fshatit, gazetarisë dhe lumenjve e pyjeve. Nuk ndodhte asnjëherë që të vizitoja një vend të bukur të Shqipërisë e të mos më shkonte mendja te vendlindja ime, që e kisha braktisur”, – thotë Eltoni. Në katër vitet e fundit, i riu filloi të mendonte seriozisht për t’u rikthyer në Papër e për të bërë një investim në tokat e tij atje, pa u shkëputur nga profesioni.

Idetë ishin të shumta, por asnjëra e realizueshme, për arsye nga më të ndryshmet. “Derisa një ditë zbulova që në disa vende të Europës ekzistojnë ferma që mbarështojnë gomaricat dhe prodhojnë qumësht gomarice. Nuk e di pse, por mendimi i parë që më erdhi ishte: ‘EUREKA! E gjeta'”, – kujton Kikia.

Kjo ishte pikërisht ajo që i duhej. Kështu, i lindi ideja për ta bërë i pari këtë gjë në Shqipëri. Si fillim, i duhej të bënte llogaritë. I rezultoi që kushtet ishin më se të favorshme. “Atje kisha në dispozicion një infrastrukture tashmë të ngritur: stalla, uji i pijshëm, shtëpia, etj. Kisha më shumë se një hektar tokë bujqësore për të prodhuar ushqim për kafshët, më shumë se katër hektarë pyll dhe ullishta ngjitur me fermën, që mund të përdorej si kullotë e lirë, – thotë ai. – Gjithçka dukej në rregull. Kështu, pak nga pak, ferma nisi të merrte formë.”

NJË KAFSHË QË RREZIKON TË ZHDUKET

Një fermë e tillë e mbron këtë kafshë, që është në rrezik zhdukjeje. Jetojmë në një kohë kur teknologjia po pushton botën me ritme marramendëse. Sot, teknologjia, në disa raste ka bërë që edhe njeriu të jetë i panevojshëm e jo më një gomar. Njerëzit, edhe në fshat, po i përdorin gjithmonë e më pak gomarët për transport. Në vend të tyre, përdorin mjetet motorike. Nëse gomari nuk hyn më në punë për këtë, për çfarë duhet ai? Nëse nuk duhet, nuk shtohet. Nuk ndodh kështu me kuajt, sepse kuajt i mbajnë edhe për gara, edhe për shëtitje, edhe për hipizëm, edhe për udhëtime turistike. Ndërsa gomaricat kanë shkuar drejt zhdukjes.

 “Kjo vihet re edhe po të bësh një shëtitje në fshat. Çdo familje ka pasur nevojë për një kafshë barre dikur. Për të marrë dru në mal, për të sjellë prodhimet e arës në shtëpi ose për të bërë rrugë të gjata. Sot dru nuk bëhet më, sepse gatuhet me gaz. Në qindra shtëpi, janë më pak se 10 familje që përdorin akoma gomarët për transport. Por më e keqja është se edhe ata që i kanë, nuk i mbarështojnë më. Këtu, në këtë fshat janë 3 familje që kanë gomarica dhe kanë mbi 10 vjet që gomaricat e tyre nuk lindin të vegjël. Pse? Sepse vetë njerëzit nuk i çiftojnë më”, – thotë Eltoni.

NJË STREHË PËR GOMARICAT E ABUZUARA

Një nga misionet e kësaj ferme është edhe të shpëtojë gomaricat nga abuzimi, t0rtura dhe shfrytëzimi barbar. “Një prej gomaricave në fermë, kur e kemi blerë, ka ardhur me kurriz të deformuar e me plagë të shumta në trup, – thotë Eltoni. – Një gomaricë tjetër, që e kemi quajtur Stela, ka lindur në një familje në zonat shumë të thella malore të Elbasanit. Duke qenë se nuk qëndronte dot në këmbë, e zonja e shtëpisë e kishte ushqyer me duart e veta me qumësht për shumë kohë, brenda në shtëpinë e vet, por, duke qenë se gomaricat mbahen vetëm për t’u ngarkuar, Stela nuk i ofronte asaj familjeje një arsye për ta mbajtur dhe as për ta shitur.

Ajo nuk mbante dot pesha të rënda me ato këmbë. Një tregtar e bleu Stelën atje për pak gjë. Me shumë mundësi, ajo do të vṙitej, për të ushqyer qentë e gjuetisë ose kafshët e kopshteve zoologjike. Por e bleva unë dhe sot Stela jeton e lumtur në këtë fermë.”

FERMA, ATRAKSION AGROTURIZMI

Papëri është një fshat me natyrë të bukur. Një grumbull kodrash, me pyje, me livadhe dhe me disa fshatra rrotull, ku jetohet akoma larg modernizimit. Ferma me gomarica, në të ardhmen mund të afrojë turistë. Mendoni për një piknik në mes të pyllit, shëtitje majë kodrave të fshatit me panorama mbresëlënëse. Mendoni të bëni ndalesa në shtëpitë e zonës, për të provuar mikpritjen dhe prodhimet e tyre. Jo në treg, por në oborret e shtëpive. Imagjinoni tani që e gjitha kjo shëtitje të bëhet me gomaricat e fermës. Çdo vizitor do ta ketë detyrim ta njohë nga afër, të kujdeset dhe ta ushqejë gjatë ditës gomaricën me të cilën do të udhëtojë.

NGA GENTIAN MINGA/ Shkeputur nga revista LIVING