Sekuestrohen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës 25 mijë euro të padeklaruara, duke proceduar penalisht 43-vjeçaren që i posedonte. Si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe bazuar në analizën e riskut, në dalje të Shqipërisë, efektivët e policisë kaluan për kontroll në vijën e dytë, shtetasen S. R., 43 vjeçe, lindur në Himarë dhe rezidente në Greqi, e cila udhëtonte me automjet së bashku me bashkëshortin e saj.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në çantën e shtetases S. R., 25 500 euro, të cilat shtetasja e mësipërme nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ndaj të dyshuarës hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ky është rasti i dytë i sekuestrimit të një shume të konsiderueshme parash të padeklaruara në pak orë. Ditën e djeshme shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë goditën një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollava në kufi, duke sekuestruar 30 800 euro dhe proceduar penalisht shtetasin C. Z., 64 vjeç, lindur në Himarë dhe rezident në Greqi.